Mitsotakis: Çështja e pronave të minoritetit grek, kusht për integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis u pyet për marrëdhëniet greko-shqiptare pas hapjes së Panairit të 88-të Ndërkombëtar të Selanikut.

Për gazetarët, Mitsotakis tha se dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por e vuri theksin te çështja e pronave. Ai u shpreh se respektimi i të drejtave të pronësisë do të jetë kusht për inetrgimin e Shqipërisë në BE.

“Ne duam të kemi marrëdhënie sa më të mira me fqinjët tanë dhe me Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë, por ndihemi të kënaqur që Fredi Beleri është me ne në Selanik”, tha Mistotakis.

Ai shtoi se “marrëdhëniet Greqi-Shqipëri kalojnë përmes respektimit të minoritetit grek dhe respektimit të të drejtave pronësore të bashkatdhetarëve”. “Ky është edhe një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë”, përfundoi Mitsotakis.