Kreu i Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit(IETT), Ramiz Zekaj, ka ofruar një të dhënë interesante mbi tiparet e malësorëve të veriut të Shqipërisë. Për ta paska një studim specifik.
“Viganët e Europës, malësorët gegë të Shqipërisë së Veriut
Raca e shqiptarëve kishte karakteristika të atilla, që e bëri antropologun amerikan Carleton Coon të kalonte thuajse një vit udhëve të veriut të Shqipërisë.
Në këtë udhëtim e shoqëronte një mik i afërt i tij shqiptar, të cilin e kishte punësuar si asistent. Ai quhej Stavri Frashëri.
Gjatë viteve 1929-1930, Carleton Coon bëri një studim antropometrik mbi 1.067 shqiptarë të dhjetë zonave të Veriut, duke iu matur madhësitë dhe format e trupave të tyre. Po ashtu, me aparatin e tij fiksonte tiparet e portretit, flokët dhe profilin.
Ky studim u përfundua në vitet 1946-1947 dhe rezultoi në botimin e librit të tij: ‘Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut’, Kembrixh, 1950.
Falë kësaj dysheje Coon-Frashëri, sot kemi të dokumentuara të dhëna shumë të rëndësishme mbi antropologjinë e gegëve”.
Kujtojmë se pos kodeve zakonore unike, malësori shqiptar ka patur dhe tipare unike, të cilat janë qenë gjithnjë tërheqëse për të huajt, udhëtarë të thjeshtë, udhëpërshkrues apo studiues.