Politika dhe paraja janë dy element të pandarë që kanë shoqëruar demokracinë shqiptare. Para ka qenë dhe është kryefjalë e tezave politike që përdoren në Shqipëri, herë për të treguar se sa shumë para ka investuar shtetit, e herë për të treguar me gisht njëri tjetrin shoqëruar me akuzën se i kanë vjedhur ato.
Kjo tablo nisi të ngjyrosej që me rënien e komunizmit, ku deputetët e viteve të para, e gjetën veten në klasën më të privilegjuar të Shqipërisë ekstremisht të varfër. Kalimi i viteve nën petkun e deputetit ministrit apo politikanit filloi t’i shijonte, aq më shumë kur jeta e tyre dallonte dukshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë.
E teksa vitet kaluan një nga një, edhe në muajt e fundit të 2024 situata duket të mos ketë ndryshuar shumë te politikanët, të paktën në raport me pasurinë.
Akuzat për përvetësim parash Këto fjalë nuk janë kursyer asnjëherë nga politikanët shqiptarë, dhe gjasat janë të dëgjohen edhe më shumë, edhe më fort me afrimin e fushatës elektorale, ku kaq shumë akuza ndërmjet tyre duket se kanë furnizuar edhe inteligjencën artificiale me të dhëna, nëpërmjet të cilave ka krijuar përgjigjet e gatshme, aq më shumë përballë pyetjes se kush janë politikanët shqiptar më të pasur.
Për ironi të fatit, edhe inteligjenca artificiale nxjerr si politikanët më të pasur në Shqipëri krerët e partive kryesore në vend duke filluar që nga Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Edi Rama, emra këto që prej gati 20 vitesh kanë vendosur monopol në ofrimin e alternativave politike në vend. Por sa është pasuria e tyre?
Në skedën e këtij emisioni janë vendosur deklaratat e pasurisë të Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Ku për t’i kthyer një përgjigje pyetjes së pasurisë së Berishës, mjafton të hapen deklaratat e pasurisë së tij ndër vite nga ku rezulton se kryetari i Partisë Demokratike, zotëron vetëm një apartament në Tiranë dhe 100 mijë dollarë kursim.
Shtëpia e Sali Berishës u bë e njohur në ditët e para të muajt janar të këtij vit pas vendosjes së tij në masën e sigurisë të arrestit të shtëpisë. Kjo jo vetëm për shkak të mbështetësve të cilët çdo mbrëmje tashmë prej tetë muajsh mblidhen poshtë shtëpisë së tij, por edhe për shkak të vizitave politike që ka pritur në shtëpi.
Banesa e tij tashmë është kthyer në zyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike, dhe si e tillë i është dashur të pres disa miq nga jashtë, të cilët kanë kërkuar ta takojnë personalisht, dhe në pamjet e publikuara kanë dalë edhe pjesë nga shtëpia.
Krahas pasurisë së paluajtshme në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, konto bankare e tij vijon prej vitesh të qëndrojnë në vlerën e 100 mijë eurove, para të cilat kryedemokrati i ka pas ndarë mënjanë për pensionin e tij, i cili sëfundmi duket të jetë edhe më i largët pas angazhimit të plotë në krye të Partisë Demokratike.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë qenë çifti më i përfolur i politikës shqiptare. Edhe tani pas vendimi të Ilir Metës për t’u divorcuar nga Kryemadhi, sërish mënyra e jetës së tyre vijon të jetë në qendër të vëmendjes, aq më shumë kur pasuria e tyre është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Ndër vite ata janë vendosur nën akuzë nga kundërshtarët politikë për mënyrën e jetesës së tyre, madje për këtë u është depozituar pranë Prokurorisë së Posaçme një padi, nga e cila mori udhë edhe nisja e hetimit pasuror. Por tashmë me vendimin për t’u divorcuar, i cili vijon të jetë në proces pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasuritë e tyre duhet të llogariten në mënyrë të ndarë.
Kësisoj, nga ky divorc, të paktën financiarisht, Ilir Meta ka dalë i humbur pasi pasuria e tyre ka qenë e gjitha e regjistruar në emër të Monika Kryemadhit, ndërsa Ilir Meta duket se ka mbetur i “pastrehë” në kuptimin juridik të fjalës. Madje kohët e fundit është parë si një banor i zonës së Liqenit të Thatë në Tiranë e jo më Kodrës së Diellit ku ka pas banuar së bashku me Monika Kryemadhin.
Deklarata e Pasurisë së Ilir Metës dhe qëndrimet e tij publike duket se përputhen me njëra tjetrën, Ilir Meta në deklaratën e tij të pasurisë ka si të ardhura paratë nga pozicionet shtetërore që ka mbajtur, mes të cilave edhe ajo e Presidentit të Republikës që për 7 muajt e fundi të ushtrimit të detyrës i ka dhënë 20 mijë eurove. Nga këto para të marra nga paga si president, Meta ka të kursyera rreth 1800 euro dhe këtu mbyllet deklarimi i pasurisë për kryetarin e Partisë së Lirisë.
Zemërgjerësia e Ilir Metës duket se lidhet me nivelin e ulët të parave që gjenden në llogarinë e tij, ndonëse tashmë prej muajsh publikon video në rrjete sociale duke shëtitur maleve e pyjeve të Shqipërisë.
Diçka krejt tjetër duket se është në raport me Monika Kryemadhin. Pasuria e saj është dukshëm më e lartë në krahasim me ish-bashkëshortin, ku burimi kryesor i tyre nuk është paga si deputete, por trashëgimi familjare. Kësisoj, Monika Kryemadhi disponon në emrin e saj janë rreth 14 apartamente mes të cilave edhe banesa në Gjirin e Lalëzit, disa llogari bankare të cilat kapin vlerën e disa mijëra eurove. Për mënyrën se si janë krijuar këto para, Monika Kryemadhi është thirrur disa herë në SPAK, mes të cilave edhe për të dhënë sqarime për operacionet të mundshme plastike.
Te gjitha këto hetime të nisura nga prokuroria e posaçme janë hedhur poshtë si nga Meta ashtu edhe nga Kryemadhi, madje për kryetarin e Partisë së Lirisë këto janë të të stisura.
Ajo që dallon Bashën nga Berisha dhe Meta është se ai nuk është nën hetim nga SPAK, por perceptimi publik për të, e fut në të njëjtën kategori si Meta po Berisha, të pasurit e politikës. E pikërisht pasuria është ajo i ra në sy të Lulzim Basha kur u fut në politikën Shqiptare. Edhe në deklaratën e parë të pasurisë të depozituar në ILDKPKI, Basha rezulton si një milionerë 29 vjeçar me shuma të konsiderueshme parash kesh, disa shtëpi si në Holandë ashtu edhe në Tiranë e Durrës të cilat zotëroheshin 100% prej tij, konto bankare që kapnin vlera mbi 100 mijë euro e të tjerë.
Kalimi i viteve në opozitë nuk është përkthyer në zvogëlim të të ardhurave për Luzlim Bashën. Ndonëse në deklaratën e fundi të pasurisë nuk ka më një numë të lartë të pronave të patundshme, ajo deklaron se ka gjeneruar të ardhura deri në vlerën 600 mijë eurove nga shitja e një apartamenti në Tiranë, apo 100 mijë euro nga trashëgimia. Kësisoj, opozitarizmi për të ka qenë i vështirë vetëm në përballjet politike me kundërshtarët në terren, pasi në aspektin personal, opozitë apo qeveri, të ardhurat vetëm janë shtuar.
Nëse deri tani analiza ishte përqendruar te tre individët kryesor të opozitës në 12 vitet e fundit, sigurisht që personi më i atakuar publikisht si përfitues të parave publikes është kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare në deklaratën e pasurisë së paluajtshme nuk rezulton të jetë në nivelin e rivalëve të tij politik sa i takon parave të ndara mënjanë. Madje sipas deklaratës së pasurisë, Edi Rama rezulton të ketë llogari bankare në minus në rreth 1100 euro ndërsa si burim të ardhurash ka pagën si kryeministër në vlerën e rreth 20 mijë eurove në vit.
Krahas pagës së numri një i qeverisë, burim tjetër i të ardhurave për të është edhe veprimtaria artistike ku në deklaratën e pasurisë të vënë në dispozicion nga ILDKPKI, dëshmohet se rreth 2200 euro janë shtuar nga ky pasion i kryeministrit.
Ky skedim i pasurisë së tyre dhe perceptimi publik mbi ta janë vetëm një tregues se si politika në sytë e opinionit publik është parë për një kohë të gjatë, madje vijon të shihet si e tillë, si një korsi për t’u pasuruar me ritëm më të shpejtë.