Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se e ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 24 të akuzuarve për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Haxhiu ka thënë se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimin e tyre për mos ngritjen e aktakuzës për krye terroristin Milan Radojiçiq dhe të grupit të tij.
“Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tonë sepse nuk është ngritur aktakuza për krye terroristin Milan Radojiçiq dhe për terroristët tjerë të cilët kanë kryer sulmin terroristë në Banjskë, që kishte për qëllim aneksimin e Veriut të vendit tonë, dhe duke pasur parasysh që pas këtij sulmi ka qëndruar Serbia, ka financuar terroristët dhe ka financuar dhe trajnuar ata, kemi konsideruar Prokuroria Speciale është dashur qysh më herët të ngritë aktakuzën për këtë rast, dhe sigurisht që siç ka thënë kryeministri më mirë vonë se kurrë”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që “Serbisë t’i bëhet presion që t’i dorëzojë kriminelët terroristë”.
“Ne e kemi mirëpritur aktakuzën si Ministri e Drejtësisë kemi adresuar të gjitha përgjegjësitë në kohë reale që i kemi pasur në këtë rast por për shkak të ndjeshmërisë ne nuk mund të flasim për to, tani po e përcjellim këtë rast me vëmendje të madhe, sikurse ne si Qeveri po edhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Ajo çfarë e konsideroj që është e rëndësishme që Serbia të dorëzojë krye terroristin Rajodociq dhe po ashtu terroristët tjerë që kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë. Dhe që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion për të jo që të kërkohet nga Kosova që të dorëzojë prova Serbisë, sepse ju e dini që i vetmi autoritet të vetmet institucionet të cilat kanë përgjegjësinë për kompetencën për ta hetuar këtë rast dhe për ta gjykuar është Republika e Kosovës. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet presion që t’i dorëzojë kriminelët, terroristët dhe në anën tjetër gjithçka çka varet nga ne do ta adresojmë në kohë reale”, theksoi ajo.
E pyetur se a mund të ketë një sulm të ngjashëm përsëri, Haxhiu ka potencuar se nga Serbia mund të pritet gjithçka, “duke parasysh qëllimet hegjemone dhe pretendimet territoriale që Serbia i ka ndaj vendit tonë”.
“Ne prej Serbisë gjithçka mund të presim duke pasur parasysh që Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, që Serbia i ka përkëdhelur terroristët që kanë kryer këtë sulm terrorist në Kosovë. Duke pasur parasysh qëllimet hegjemone dhe pretendimet territoriale që Serbia i ka ndaj vendit tonë, nxitjet që ia bënë e njëjta grupeve kriminale të cilat nuk po i lënë të qetë serb që të jetojnë lirshëm në Republikën e Kosovës. Prej Serbisë gjithçka pritet, ne jemi vigjilent, institucionet tona të sigurisë po ashtu këtu më duhet ta vlerësoj lartë rolin që ka pasur Policia e Kosovës jo vetëm në sulmin në Banjskë, por gjatë gjithë kësaj kohe që me veprimet e tyre, me vetëmohim kanë qëndruar në përgjegjësitë e tyre si njësite brenda Policisë së Kosovë, natyrisht që edhe të gjitha institucionet tjera që kanë dhënë një kontribut në këtë drejtim, qoftë ato të sigurisë, inteligjencës dhe të drejtësisë” është shprehur ajo për EO.
Megjithëkëtë, ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që Radojiçiq bashkë me grupin e tij të dalë para përgjegjësisë.
“Emri i krye terroristit Rajodociq dhe terroristëve të tjerë tashmë është edhe në kuadër të Interpolit dhe sigurisht që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky person të del para përgjegjësisë, tashmë gjithçka çfarë ka qenë në kuadër të policisë tonë ne e kemi adresuar, sigurisht që do të duhet të ketë drejtësi për atë që ka ndodhur në Banjskë. Ne si Qeveri e Kosovës gjithçka që varet nga ne do të adresojmë në kohë reale, përgjegjësia për këtë është e rëndësishme, e duhur dhe duhet të ndodh sa më parë”, shtoi ajo.
Ministrja theksoi se në vend të Kosovës, Serbia ishte dashur që të dënohen, sanksionohet për sulmin që ka bërë nga partnerët ndërkombëtarë.
Duke shtuar që prapa sulmit në Banjskë, ka qëndruar Serbia me armatim, trajnim dhe financim.
“Sigurisht që Serbia është dashur që të dënohet, të sanksionohet për sulmin që ka bërë, gjatë kohës kur ne kemi qenë në negociata një shtet si Serbia e ka bërë sulmin terrorist në Basnjkë, pra Serbia nuk mund ta fsheh që qëndron prapa këtij sulmi. Vetë fakti i deklarimeve publike që ka pasur por edhe armatimit, trajnimit dhe financimit që i është bërë këtij grupi terrorist e dëshmon këtë, sigurisht që partnerët tanë ndërkombëtarë është dashur që të vendosin masa, madje sanksione për Serbinë, jo për Kosovën që në vazhdimësi është duke bërë përpjeke për të shtrirë sovranitetin dhe për të respektuar integritetin territorial, gjegjësisht për të mos lejuar që ky integritet të cenohet, por që fatkeqësisht masat ia janë vënë Kosovë, dhe jo një vendi si Serbia që ka kryer sulm terrorist në Republikën e Kosovës.
Në vazhdimësi kemi thënë edhe në takimet tona me partnerët tanë ndërkombëtarë por edhe publikisht që konsiderojmë që kjo është e padrejtë, sepse dikush duhet të ndëshkohet për sulmin terrorist dhe për veprimet destruktimve, për refuzim të implementimit të marrëveshjeve të dakorduara të cilat i referohemi në vazhdimësi sigurisht që është Serbia dhe jo Kosova”, shtoi ministrja.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për 45 persona, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, për veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” dhe “Shpëlarja e parave”.