Dragan Nikolliç nga Leposaviqi shpreson se do të mund të kthehet në Policinë e Kosovës, të cilën, siç thotë ai, e la “nën presion” në nëntor të vitit 2022 pas dy dekadash punë në këtë institucion.
“Lajmi që duhet të largoheshim nga institucionet atëherë më goditi shumë, ende sot nuk mund të pajtohem me këtë”, thotë Nikoliç për Radion Evropa e Lirë (REL).
Tani, pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandwr Vuçiç, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, Dragani thotë se ndihet “i tradhtuar dhe i përdorur”.
Dorëheqja e qindra serbëve nga institucionet në veri të Kosovës u iniciua nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia me emrat e qyteteve të Kosovës.
Kjo dorëheqje kolektivisht nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë dhe organet gjyqësore, u mbështet nga Beogradi zyrtar, duke siguruar kompensime mujore për të gjithë ata që “mbetën pa punë”. Pasuan kriza të shumta në veri, ndërsa situata kulmoi më 24 shtator 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë në Banjskë pranë Zveçanit, duke vrarë një polic. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione serbe që funksiononin në veri të vendit sipas sistemit të Serbisë.
Vuçiç më 13 shtator kërkoi kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe organet gjyqësore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, në mënyrë që në krye të tyre të vijnë serbë.
“Viktima të presioneve dhe politikës”
Dragan Nikolliç ishte një nga katër serbët nga Kosova që autoritetet serbe i arrestuan në prill të vitit 2023, duke i akuzuar se ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal që synonte ndryshimin e dhunshëm të pushtetit, përkatësisht rrëzimin e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.
Ai u lirua për shkak të mungesës së provave dhe ndërkohë filloi të punojë si shofer në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, shpreson ende se do të mund të jetë përsëri polic.
Ai shton se rikthimin në Policinë e Kosovës e dëshirojnë edhe kolegë të tij, dhe konsideron se serbët në Kosovë janë “viktima të presioneve dhe të politikës së dikujt”.
Çfarë tjetër ka paralajmëruar apo kërkuar Vuçiçi?
Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione të Serbisë, me arsyetimin se funksionimi i tyre cenon kushtetutshmërinë e Kosovës. Disa prej tyre janë: Organet e Përkohshme Komunale, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Banka e Kursimeve Postare dhe zyrat e Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndër të tjera, më 13 shtator tha se rreth 5.800 punëtorë të institucioneve serbe të mbyllura në Kosovë do të vazhdojnë të marrin rregullisht pagat e tyre dhe paralajmëroi një rritje të mundshme.
Ai deklaroi se institucionet serbe në Kosovë “nuk do të shuhen, as nuk do të mbyllen”, por që “me qëllim të zbutjes së veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit kosovar”, në vendet Rudnicë dhe Ribariç në Serbi, afër kufirit me Kosovën, do të hapet një zyrë ku serbët do të kenë qasje në shërbime të mbrojtjes sociale dhe do të ofrohen shërbime shtetërore dhe administrative që, sipas tij, janë esenciale për qytetarët.
Gjithashtu, një nga masat është që territori i Kosovës do të shpallet “zonë e veçantë për mbrojtje sociale”, me çka do të sigurohet ndihmë financiare për serbët e papunë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.
Presidenti i Serbisë më 13 shtator, gjithashtu, paralajmëroi investime të reja nga Beogradi në Kosovë, me vlerë dhjetëra milionë euro. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2024 ka ndarë rreth 140 milionë euro për Kosovën, që është rreth 11 milionë euro më shumë se në vitin 2023.
“Me para nuk mund të na kompensohet dëmi”
Zdravko nga Leposaviqi thotë se masat dhe kërkesat e paraqitura nga presidenti i Serbisë janë joreale dhe se me para nuk mund të kompensohet “dëmi” shkaktuar anëtarëve të komunitetit serb.
Me “dëm” ai nënkupton mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet, sërish me thirrjen e Listës Serbe.
“Kjo është si kur e gjuan topin në mur dhe ai të kthehet”, shprehet Zdravko për REL.
Për Goran Milenkoviçin, aktivist politik nga Leposaviqi, këto masa dhe kërkesa janë “keqpërdorim i popullit dhe mashtrim i opinionit publik.”
“I gjithë ky është mashtrim, në të cilin askush nuk beson më”, shton ai, duke shprehur bindjen se të gjitha ngjarjet e fundit janë “pjesë e një marrëveshjeje” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që veriu të integrohet plotësisht në sistemin e Kosovës.