Kampioni i padiskutueshëm në peshën e rëndë në boksin profesionist, ukrainasi Oleksandr Usyk, u arrestua në aeroport në Krakov të Polonisë, ndërsa u lirua pas intervenimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, raporton “The Guardian”.
Usyk kishte destinacion Londrën, por u ndalua në Krakov. Në videot e publikuara në rrjete sociale, shihet Usyk duke u shoqërua nga pesë policë.
Usyk ka sqaruar ngjarjen në një postim në Instagram.
“Të dashur miq. Ndodhi një keqkuptim. Shpejt u zgjidh. Faleminderit të gjithëve që u shqetësuan. Faleminderit diplomatëve ukrainas për përkrahje efikase. Dhe respekt për policinë polake për sjelljen e tyre”, ka thënë 37-vjeçari.
Promotori i tij Alex Krassyuk ka treguar për “Sun Sport” se Usyk nuk u arrestua.
“Ai nuk u arrestua. Ishte një keqkuptim dhe është i lirë”, tha Krassyuk.
E presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë në “Telegram” se është i “zemëruar” me sjelljen e policisë “ndaj qytetarit dhe kampionit tonë”.
Zelensky ka thënë se ka urdhëruar një hetim.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se ka kontaktuar me Ministrinë e Jashtme të Polonisë pasi vlerësoi se arrestimi ishte i paprapnueshëm.
“Ne menjëherë reaguam ndaj ndalimit të Oleksandr Usyukut në Krakov dhe ndihmuam në lirimin e tij”, ka shkruar Sybiha në platformën “X”.