Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel ka kërkuar që të hiqen masat e Bashkimit Evropian dhe Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ai ka qenë pjesë e drekës së punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, ftuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten.
Kurti ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Në këtë kontekst, Kurti ka bërë thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate.
Në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen.
Sa i përket Planit të Rritjes, Kurti është shprehur se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes. Nga ZKM-ja thuhet tutje se Kurti konfirmoi mbështetjen për Procesin e Berlinit, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
“Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale”, thuhet në komunikatë.