Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do t’u rezistojë presioneve ndërkombëtare për kompromise me Serbinë.
Duke mbrojtur veprimet e qeverisjes së tij në veri, Kurti në një intervistë për prestigjiozen britanike “Financial Times” ka thënë se është hequr ndikimi i Beogradit mbi disa aspekte të jetës në Kosovë. Ai ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës “nuk janë kundër serbëve, por kundër aktiviteteve ilegale të Serbisë në Kosovë”.
Por fuqitë perëndimore kanë shprehur shqetësime për “veprime të njëanshme” të Kosovës. Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se zgjidhja e çështjeve brenda Kosovës është çështje e brendshme dhe se “nuk ka… sfida të sigurisë që nuk mund t’i menaxhojmë apo kontrollojmë”.
Duke folur për mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës muajin e shkuar, Kurti ka thënë se aty kryheshin “aktivitete ilegale si falsifikimi i dokumenteve”.
Kurti ka folur edhe për Urën e Ibrit. Ai ka thënë se Kosova dëshiron urë normale.
“Duam urë normale. Urë normale është ura e hapur; të vetmit ata që shijojnë urë të mbyllur janë ata që ende ëndërrojnë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai. “Evropa i ka shembur muret. Nuk është në rregull të insistohet në urë të mbyllur”.
Kurti ka mohuar që veprimet e tij në veri janë për vota.