Në një-vjetorin e vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku, liderët institucionalë dhe partiakë e kanë nderuar heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili është vrarë më 25 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Ata e kanë vlerësuar lartë veprën e Bunjkaut, duke thënë se ai sakrifikoi jetën për Republikën e Kosovës.
E para që e ka përkujtuar Bunjkaun ka qenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se sakrifica e rreshterit Bunjaku tregon se kjo tokë është atdheu ynë i përhershëm.
“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani.
Kurse, Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Galauk Konjufca kanë shkruar për vizitë në familjen e Afrim Bunjakut.
Gjithashtu, në këtë delegacion ishte edhe Komandanti i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe disa përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Më pas, kryeministri dhe kryeparlamentri kanë bërë homazhe te varri i Afrim Bunjakut, duke vendosur kurora me lule.
Homazhe të varri i heroit ka bërë edhe ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Heroi i Kosovës është përkujtuar edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka vlerësuar se shembulli i Bunjakut duhet të jetë model dhe motiv për brezat se si mbrohet e si duhet shërbyer atdheut.
“Sot, më 24 shtator është bërë viti që nga rënia në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, e policit-hero, Afrim Bunjaku. Ai u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar dhe komanduar nga Serbia, gjersa po ushtronte profesionin dhe punën fisnike prej polici në mbrojtjen e rendit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Afrim Bunjaku është Heroi i cili sakrifikoi jetën e tij për shtetin e Kosovës. Shembulli i tij është model dhe motiv për brezat se si mbrohet e si duhet shërbyer atdheut edhe në kohë paqeje” ka thënë Abdixhiku, sipas një njoftimi të LDK-së.
“Vrasja e heroit Bunjaku ishte goditje e rëndë jo vetëm për familjen dhe kolegët policë, por edhe për shtetin e Kosovës. Prandaj dënimi i terroristëve si dhe mbajtja përgjegjës e Serbisë si organizator i agresionit ndaj Republikës janë detyrime tona si shtet e si shoqëri. Afrim Bunjaku mbetet përherë në kujtesën shtetërore si personalitet që dha frymën e fundit për territorin e Republikës së Kosovës. I përjetshëm kujtimi e nderimi për Afrim Bunjakun. Lavdi e përjetshme!” është shprehur Abdixhiku.
Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë në orët e para të datës 24 shtator të vitit të kaluar nga grupi terrorist i kriminelit serb Milan Radoiçiq.
Derisa patrullonte fshatin Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku kishte hasur në një barrikadë, ku në urën e fshatit ishin vendosur dy kamionë.
Afrim Bunjaku së bashku me disa kolegë të tij derisa ishin ofruar të kamionët kishte ndodhur një shpërthim dhe ishin dëgjuar të shtëna në drejtim të tyre. I vrarë kishte mbetur Afrim Bunjkau, ndërsa dy policë tjerë kishin mbetur të plagosur.