Është tensionuar situata në godinën e Parlamentit, ku deputetët e opozitës, të përjashtuar nga punimet, janë përleshur me gardistët.
Deputetët nuk lejohet të futen në sallë pasi janë të përjashtuar për djegien e karrigeve në seancën e të hënës. Pasi iu është bllokuar hyrja kryesore, ata kanë tentuar të futen nga mbrapa, por nuk janë lejuar nga gardistët.
Kjo ka sjellë tensionimin e situatës dhe deputetët e PD kanë penguar kolegët socialistë dhe ministrat e qeverisë të futen në godinë, duke i shtyrë.
Një ditë më parë, deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati u përjashtuan për 60 ditë. Për deputetin Edi Paloka kjo masë ndëshkimore është për 10 ditë, ndërsa 20 të tjerët janë përjashtuar me 40 ditë, shkruan A2 CNN.
Vendimi u mor të mërkurën, pas kërkesës së grupit parlamentar socialist për marrjen e masës disiplinore ndaj tyre, për shkak të tensioneve dhe dhunës së krijuar në seancën parlamentare të së hënës nga deputetët demokratë, të cilët kundërshtuan dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg, raporton A2 CNN.
Edhe mbledhja e sotme e Komisionit të Etikës u shoqërua nga kaosi dhe tensionet për shkak të protestës së deputetëve të opozitës në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, pohoi se mosbindja civile do të vazhdojë.