Restaurimi/ Hamami i Durrësit rihap dyert, historia e objektit mesjetar

Një tjetër sit i trashëgimisë kulturore i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 është restauruar. Hamami i Durrësit rihapi dyert e tij, duke i ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë historinë e pasur dhe diversitetin kulturor të Shqipërisë.

I gjendur pranë Kullës Veneciane, Hamami është një nga 15 sitet e trashëgimisë kulturore që janë rinovuar plotësisht përmes programit ‘EU4Culture’, ndërsa puna është duke vazhduar në 8 site të tjera. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit u shpreh, “shumë i lumtur për inaugurimin e Hamamit, pasi ky vend është një testament i diversitetit fetar, social dhe kulturor të këtij vendi”. “Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i kësaj bashkëjetese mes njerëzve me tradita të ndryshme. Kjo është edhe ajo që BEja përfaqëson, njerëz me kultura dhe tradita të ndryshme që jetojnë së bashku në harmoni”, theksoi ai.

Hamami në oborrin e shkollës “16 shtatori” është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Durrësit. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “1886, 10.06.1973’”. I ndërtuar në shekullin XVII-XVIII, hamami i vjetër i Durrësit, monument kulture i kategorisë së parë, pësoi dëmtime nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Kohë më parë pas restaurimit iu shtua edhe elementi digjital për të treguar historinë e objektit përmes procesit të rijetësimit, nga programi “EU4Culture”, zbatuar nga UNOPS. Programi “EU4Culture” financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Në atë periudhë me një buxhet 40 milionë euro, “EU4Culture” u shtri në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore në vend. Më herët programi “EU4Culture” bënte të ditur se ndërhyrjet përfshinin restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.

Ndërhyrjet për rehabilitimin e sitit, në lidhje me projektin “EU4Culture” përfshinin ruajtjen e sipërfaqeve dhe restaurimi i qëllimit origjinal të hapësirës, restaurimi i elementeve që mungojnë të funksioneve të përdorimit të banjës, stabilizimi i pjesshëm strukturor dhe kullimi, parmakët rreth elementëve autentikë, të cilët do të ishin fokusi i një ekspozimi, menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë si dhe programi dhe planet e mirëmbajtjes. Në infrastrukturë instalimet elektrike për ndriçim, sistemi i mbikëqyrjes dhe sigurisë, biletaria dhe informacionet lidhur me Torrën Veneciane, etj. Hamami (banjo) është godinë publike, me arkitekturë tipike të periudhës turke. Ajo është ndërtuar në shek. XVIII, në këndin juglindor të qytetit mesjetar.

Në qendër ka pasur një kupolë sferike me lartësi 5.8 m, pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje. Ambientet ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve prej qeramike. Furra gjendet në pjesën e prapme të hamamit. Ka qenë shumë e dëmtuar, ndaj u rikonstruktua në vitin 1980. Hamami në Durrës është një nga pak shembujt e mbijetuar të arkitekturës publike të shekullit të 18-të.