Degët drejt zhdukjes, gati gjysma e kuotave ende të lira në Universitete

Në Portali i Aplikimit Universitar, ku maturantët njihen me kriteret, programet, aplikimin universitar dhe programin ku janë shpallur fitues, rezulton se në fund të fazës së dytë të regjistrimeve ka ende mijëra kuota të paplotësuar, teksa ishin regjistruar gjithsej 10,437 studentë.

Gati 45 përqind e auditorëve do të jenë bosh, sot në ditën e parë të këtij viti akademik. Të dhënat e verifikuara nga Faktoje.al dëshmojnë se deri të premten, 8,775 mijë kuota nga universitetet publike ishin të lira nga 19,212 të miratuara në total.

Në Portali i Aplikimit Universitar, ku maturantët njihen me kriteret, programet, aplikimin universitar dhe programin ku janë shpallur fitues, rezulton se në fund të fazës së dytë të regjistrimeve ka ende mijëra kuota të paplotësuar, teksa ishin regjistruar gjithsej 10,437 studentë.

Por në urimin e ndarë për nisjen e vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu duket se i referohet kuotave fillestare kur thotë se “Suksese mbi 20 mijë studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit…”, shkruan Manastirliu në profilin e saj zyrtar në facebook.

Degët drejt zhdukjes


Shkenca Natyre Mjedisore rezulton dega më pak e pëlqyer në Universitetin e Tiranës, me vetëm 2 studentë të regjistruar këtë vit. Më pas vjen Fizika me 5 studentë të regjistruar dhe Kimia me 8.

“Duhet të kishim një emergjencë kombëtare ndërkohë që radhët e mësuesve pakësohen dhe shkollat kërkojnë mësues për të plotësuar nevojat e tyre. Sidomos fizika, matematika dhe gjuha, apo lëndë të tjera bazike janë të paplotësuara. Me këtë trend parashikohet që vitet e ardhshme disa nga këto degë sipas ligjit do të mbyllen nëse për dy vite nuk plotësohen me të paktën 10 studentë.”, paralajmëron Rigers Xhemollari nga Qendresa Qytetare.

Nga ana tjetër, një nga degët më të preferuara në Universitetin e Tiranës rezulton Informatika Ekonomike, ku vetëm 4 kuota kanë mbetur të lira nga 240 gjithsej.

Të kërkuara vijojnë të jenë edhe inxhinieritë informatike tek Universiteti Politeknik, sikurse arkitektura.

Degët arkitekt, urbanist dhe interieri/dizajn nuk kanë asnjë vend të lirë në këtë fazë regjistrimesh. Ndërsa, inxhinieria e burimeve minerare, ajo gjeologjike dhe gjeomjedisi janë tre degët me më pak regjistrime këtë vit në Universitetin Politeknik.

Universiteti Bujqësor është zgjedhur nga të paktën 638 studentë këtë vit. Degët më të kërkuara janë menaxhim agrobiznesi dhe menaxhim turizmi rural. Ndërsa, në degën inxhinieri agroushqimore ka vetëm 1 të regjistruar. Edhe zooteknia dhe siguria e produkteve blegtorale kanë vetëm 2 regjistrime ndërsa inxhinieria pyjore 5 studentë të regjistruar.

Referuar të dhënave nga U-Albania, këtë vit Universiteti i Mjekësisë vijon të jetë i zgjedhur nga shumica e studentëve. Aktualisht, ky universitet ka vetëm 146 kuota të lira nga 1,624 që kishte gjithsej. Mjekësia e përgjithshme, farmacia dhe stomatologjia nuk kanë asnjë vend të lirë.

Rrethet me rënie drastike


Sipas të dhënave nga U -Albania, universitetet e rretheve vijojnë të shënojnë rënie drastike studentësh edhe këtë vit. Gjirokastra dhe Korça shënojnë numrin më të ulët të regjistrimeve.

Deri në këtë fazë aplikimesh, në universitetin ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër rezultojnë të regjistruar 195 studentë gjithsej nga 599 kuota fillestare.

Degët si menaxhimi i turizmit, histori-gjeografia dhe matematika kanë vetëm nga 1 studentë të regjistruar.

“Interesi i të rinjve shqiptar për të përzgjedhur degët e mësuesisëë është në rënie drastike. Shkodra ka një student për histori dhe dy për gjeografi. Në Elbasan ka vetëm 6 studentë për gjuhë dhe dy studentë të tjerë për mësuesi.”, vëren Rigers Xhemollari nga Qendrësa Qytetare.

Edhe universiteti “Fan S. Noli” në Korçë rezulton me 357 studentë të regjistruar për herë të parë këtë vit. Degët e fizikës, matematikës rezultojnë me nga dy të regjstruar. Ndërsa, infermieria e përgjithshme nuk ka asnjë vend të lirë. Nga 75 kuota gjithsej, aktualisht nuk ka asnjë vend të lirë