Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës të martën është zhvilluar një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, aksion ky, i cili është bërë pas zhvillimit të hetimeve disamujore.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.
Në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, thuhet se i arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
Një (1) revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë 9 mm.
Tridhjetë e katër (34) fletë dokumente të ndryshme.
Tre (3) telefona, një (1) IPhone 15 ProMax, një (1) IPhone 12 ProMax, një (1) IPhone 11 ProMax
Shtatëmbëdhjetë (17) USB.
Tre (3) laptop HP.
Katër (4) shtëpiza kompjuteri si dhe
Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal./