Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi shfuqizimin e instrumentit që kishte balancuar deri më tani përfaqësimin etnik në institucionet shtetërore të vendit.
Anëtarët e saj votuan në mënyrë të fshehur, thonë mediat në Shkup, teksa njëri prej gjykatësve, Naser Ajdari, mungonte. Pretendimi i kreut të Gjykatës, Darko Kostadinovski është se me atë që njihet ndryshe si “Balancuesi”, ishin shkelur të drejtat dhe liritë e qytetarëve sa i përket deklarimit dhe është bërë diskriminim në bazë të barazisë sepse në një konkurs, sic pretendon ai, nuk kanë qenë të barabarta të gjitha bashkësitë të konkurrojnë.
“Është e pakontestueshme që në rendin tonë kushtetues ekziston vlera themelore e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Megjithatë, ekzistojnë edhe të tjera. Njëra prej tyre është edhe liria e shprehjes së përkatësisë etnike, i tillë është neni 9 parimi i barazisë mes qytetarëve, i tillë është se të gjithëve sipas kushteve të njëjta kanë qasje në çdo vend pune, e tillë është ndalesa për diskriminim në çfarëdolloj baze”, ishte komenti i tij.
Por pikërisht heqja e “balancuesit” ka qenë kusht që partia aktuale në pushtet, VMRO DPMNE u kishte vendosur në muajin mars partive politike shqiptare për pjesëmarrje në qeverinë e re pas zgjedhjeve të 8 majit. Motoja që ajo shpaloste atëherë ishte “Përgatitja profesionale para përkatësisë etnike gjatë punësimeve” .
VMRO-ja pretendonte se si pasojë e këtij mekanizmi, institucionet janë “mbushur me kuadro të pakualifikuara”, pasi në vend të arsimimit, për bazë është marrë përkatësia etnike, për të ruajtur balancën etnike në institucionet ku ata janë punësuar. “Balancuesi” është pjesë e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në vitin 2002 pas konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut.
Ky instrument arriti të përmirësonte përfaqësimin e shqiptarëve në organet shtetërore, të cilët deri para aplikimit të tij ishin shumë pak të punësuar në institucione. Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN që është pjesë e ekzekutivit, Halil Snopçe tha se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të propozojnë Ligj të ri, për pesë ose gjashtë javë.
Por Fronti Europian reagoi ashpër duke thënë se shfuqizimi i balancuesit, është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe në këtë pikë, është e kotë të flitet për propozim të ri ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat kur nuk ka asgjë konkrete. Që nga ardhja në pushtet e VMRO-së në fund të qershorit, në Maqedoninë e Veriut janë larguar nga puna mbi 800 shqiptarë.