Sistemi arsimor humbi mijëra nxënës dhe qindra mësues – thekson raporti

Një raport monitorimi i prezantuar nga “Qëndresa Qytetare” tregon uljen e numrit të nxënësve dhe studentëve, mungesa të theksuara në stafin pedagogjik si dhe shkallën e ulët të sigurisë dhe digjitalizimit në shkolla.

BIRN

Një raport i organizatës “Qëndresa Qytetare” mbi monitorimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit për vitet 2021-2026 zbulon se sistemi arsimor në Shqipëri ka humbur me mijëra nxënës dhe qindra arsimtarë vetëm për një periudhë 3-vjeçare.

Raporti u prezantua të enjten në mjediset e “Tirana International Hotel” dhe evidenton regres në cilësinë e sistemit arsimor, i cili reflektohet në uljen e numrit të nxënësve dhe studentëve, mungesa në staf pedagogjik si dhe në infrastrukturën digjitale të shkollave.

“Në dy vite nga 2021-2023, gjetjet tregojnë se 2830 nxënës kanë braktisur shkollën dhe mungojnë 291 arsimtarë,” thuhet në raport.

Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” deklaroi se edhe në universitete ka një ulje me 20% të studentëve, duke e konsideruar këtë një këmbanë alarmi. Sipas tij, viti akademik nisi me gjysmë kapaciteti të kuotave dhe me risk të mbylljes së programeve në 42% të tyre.

“Nëse nuk merren masa, brenda pak viteve universitetet do të mbeten bosh,” deklaroi ai.

Qëllimi i këtij raporti është monitorimi i zbatueshmërisë së “Strategjisë Kombëtare për Arsimin 2021-2026″ i miratuar me Vendim Nr. 621, më 22 Tetor 2021 nga Këshilli i Ministrave, si dhe për të bërë transparente në mënyrë analitike se si është zbatuar dhe implementuar kjo strategji në dobi të nxitjes së zhvillimit të arsimit në Shqipëri.

Autorët e monitorimit theksuan gjithashtu mungesën e specialistëve në sistemin arsimor, të tillë si punonjësit socialë, psikologët apo oficerët e sigurisë.

“Vetëm në vitin shkollor 2022-2023 janë raportuar 796 raste të dhunës fizike, 912 raste të dhunës psikologjike dhe 954 raste të bullizmit,” vlerëson raporti.Prezantimi i gjetjeve të monitorimit të Strategjisë së Arsimit 2021-2026. Foto: Nensi Bogdani.

Kolindo Vjerdha, ekspert nga “Qëndresa Qytetare” u shpreh se megjithëse numri i psikologëve në shkolla është rritur me 30%, një psikolog rezulton përgjegjës për 506 nxënës, teksa në 54% të shkollave mungojnë oficerët e sigurisë, gjë që lë vend për hapësira të pasigurta për të rinjtë.

Edhe specializimi i drejtuesve të shkollave shënon një përqindje tepër të ulët.

“Shkolla e Drejtorëve ka certifikuar 908 drejtues deri në vitin 2023, por vetëm 27.6% e shkollave drejtohen nga individë të certifikuar,” thuhet në raport.

Një tjetër problem i evidentuar është kapaciteti i ulët digjital i sistemeve arsimore, ndërsa premtimet dhe strategjitë në këtë drejtim kanë mbetur në letër.

Monitorimi evidenton se raporti kompjuter-nxënës është 1 kompjuter për 20 nxënës, ndërkohë që ka mungesë të mbulimit me internet të shkollave. Gjetjet e monitorimit tregojnë më tej se Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës kanë vështirësi në aksesin me internet gjatë procesit mësimor.

“46% e institucioneve janë ta pajisura me internet, ndërsa nga këto vetëm 5% kanë internet ‘ëireless’,” evidentoi Vjerdha gjatë prezantimit.

Lidhur me universitetet kryesore të vendit, raporti tregon se ndërkombëtarizimi i tyre mbetet në nivele të ulëta, pavarësisht vendosjes si prioritet nga qeveria.

“Vetëm 0.6% e studentëve janë të huaj dhe numri i studentëve shqiptarë që marrin pjesë në programe shkëmbimi ndërkombëtare është zakonisht më pak se 1%,” thuhet në raport.

Sipas drejtuesit të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, arsimi i lartë është në nivelet më të ulëta që prej vitit 1992.

“Arsimi i lartë mbetet në nivelet më të ulëta të mundshme dhe shkak për këtë janë nënfinancimet e kërkimit shkencor dhe arsimit universitar,” tha Sandër Kovaçi, drejtues i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë. Kovaçi evidentoi si problematikë nivelin e ulët të njohurive të nxënësve, si edhe përmbajtjen e teksteve universitare të cilat lënë për të dëshiruar.

Ngjashëm, edhe Migen Qiraxhi bëri thirrje për reformim të thellë të arsimit në vend, si zgjidhja e vetme për vazhdimësinë e universiteteve.

“Të gjithë këto gjetje tregojnë se arsimi i lartë ka nevojë për reformim të thellë dhe të vërtetë në degë, kurrikula, organizim dhe financim”, tha Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare.

“Duhet të pranojmë krizën e regjistrimeve, institucionet nuk reformohen vetë, kanë nevojë për ndryshim nga lart poshtë. Përndryshe, tregu të nxjerr nga loja”, përfundoi ai.