Kirurgu australian për të 14-tën herë në Kosovë, operon 15 fëmijë me probleme shëndetësore

Për të 14-tën herë më radhë, kirurgu i fëmijëve nga Australia, Paddy Dewan së bashku me ekipin e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike, kanë operuar 15 fëmijë me probleme shëndetësore shumë komplekse.

E krahas këtyre operimeve kirurgu i fëmijëve, Dewan ka kontrolluar edhe qindra fëmijë, i cili kësaj here ka ardhur të shtunën në Kosovë. Në po atë ditë, Dewan ka kryer disa operacione.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kirurgu australian ka thënë se është shumë i lumtur që po arrin t’i ndihmojë fëmijëve me probleme shëndetësore. Tregoi se operacioni i sotëm ka probleme urinare.

“Rastin që jemi duke e realizuar momentalisht është një djalë i ri që ka problem me bllokimin e kanaleve të urinës. Pas ekzaminimeve të nevojshme do të intervenojmë. Ky është një rast i komplikuar kemi bërë dy ekzaminime  në të njëjtë kohë. Unë kam ardhë këtu për herë të parë në vitin 2011, në kohën kur Spitali i fëmijëve ishte në ndërtim. Kam ndihmuar që me përvojë time të operojmë fëmijë me probleme të ndërlikuara, që nuk kanë mundur të kryhet nga mjekët këtu, por kemi ndryshime. Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësi që të jem këtu për të ndihmuar”, ka thënë Dewan.

Kirurgu Sejdë Statovci, i cili është ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, ka thënë për Ekonomia Online se me ardhjen e kirurgut australian po kursehet edhe buxhetit i shtetit, pasi raste të tilla kanë kosto të lartë financiare dhe duhet trajtim jashtë vendit.

“Profesor është nga Australia, është kirurg i fëmijëve i cili që nga viti 2011 ka ardhë rregullisht çdo vit me përjashtimin e vitit kur ishte pandemia. Është një kirurg i nivelit botëror, vjen dhe bashkë me neve operojmë raste të rënda, raste të komplikuara të cilat ne vetë nuk mund t’i zgjidhim dhe të cilat poqë se do të shkonin për trajtim jashtë vendit, do të kushtonte buxhetit të Kosovës shumë shtrenjtë. Ky vjen në mënyrë humanitare, prej vitit 2011 dhe ky është misioni i 14-të i tij dhe na ka ndihmuar që t’i zgjidhim këto raste të komplikuara dhe njëkohësisht punojmë e mësojmë prej tij por njëkohësisht përfitojnë pacientët”, ka thënë Statovci. Shton se nga ardhja e tij të shtunën ka arritur t’i kryejë 15 operacione.

“Këtë herë ka ardhë të shtunën dhe direkt prej aeroportit ka ardhë këtu në Klinikë. Kemi punuar deri në ora 16:30, ka bërë rreth 25 konsulta të pacientëve, kurse të dielën kemi vazhduar prej mëngjesit dhe kemi punuar deri në orët e mbrëmjes, vazhdon edhe sot pasi që është dita e fundit e qëndrimit të tij dhe gjithsej me këta dy pacientë që operohen sot, bëhen 15 pacientë të operuar gjatë këtij misioni”, u shpreh Statovci.

Ndonëse është hera e 15-të që vjen në Kosovë, Statovci ka thënë se kirurgu Dewan, ka parë shumë ndryshime në shëndetësinë kosovare.

“Meqenëse vjen prej vitit 2011 ky ka parë në dinamikë ndryshimet këtu te ne, ky i vëren ato ndryshime, ka përmirësim, ka ngritje edhe eksperiencë ka shkuar duke u rritur dhe sa i përket infrastrukturës më ajo nuk diskutohet, është tjetër nivel por edhe përvoja jonë ka shkuar duke u rritur dhe stabilizuar”, deklaroi ai.