Te rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës marrin ftesa për rekrutim në ushtrinë serbe

Një familje shqiptare në komunën e Preshevës përjetoi një situatë të pazakontë dhe shqetësuese.

Një polic serb trokiti në derën e tyre në orët e vona të natës, duke dorëzuar personalisht një ftesë për rekrutimin e djalit të tyre të vetëm në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të Serbisë.

Përmes një letre zyrtare, familja mësoi se djali i tyre duhet të paraqitet për rekrutim, si pjesë e planeve të reja të qeverisë serbe për të rifutur këtë sistem.

”Është shqetësuese kjo që duan djalin të na marrin në atë ushtri, derisa ai është student. Apelojmë që kjo të parandalohet, sepse dihen rrethanat tona se ku gjendemi. U bëj thirrje pushteteve komunale, por edhe Qeverive në Tiranë e Prishtinë, bashkë me faktorin ndërkombëtar të ndërhyjnë në parandalimin e kësaj të keqeje”, thotë për INA një prind i shqetësuar.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por të gjithë shqiptarët e zonës, të cilët prej kohësh ndihen të përjashtuar nga strukturat shtetërore dhe me tensione të vazhdueshme me qeverinë e Beogradit.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë veçanërisht të shqetësuar për rekrutimin e të rinjve të tyre në ushtrinë serbe, duke e parë këtë si një përpjekje për presion dhe kontroll të mëtejshëm mbi komunitetin e tyre.

Pushtet komunale dhe partitë politike në këto komuna nuk kanë ngritur zërin për këtë situatë shqetësuese.

Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi u njoftua nga presidenti Aleksandar Vuçiç në shtator 2024.

Ndërsa shërbimi i detyrueshëm është planifikuar të zgjasë 75 ditë, shqetësimet kryesore lidhen me përfshirjen e të rinjve shqiptarë në një ushtri që mund të shihet si mjet presioni mbi komunitetin e tyre.

Kjo masë e re, që ende kërkon miratimin e parlamentit serb, vjen në një kohë kur Serbia po rrit gatishmërinë ushtarake dhe tensionet me Kosovën mbeten të larta.