Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e siguroi të dielën Presidentin rus Vladimir Putin se vendi i tij, ndonëse kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të vazhdojë të refuzojë t’i vendos sanksione Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, pavarësisht trysnisë së Perëndimit.
Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se beson që biseda telefonike, për të cilën ai tha se është para në më shumë se dy vjet me presidentin rus, do të ndihmojë “zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe thellimin e besimit midis Rusisë dhe Serbisë”.
“Ne biseduam si njerëz që njihen për një kohë të gjatë, si miq dhe biseda dhjetë minutëshe u përshkua nga një ton personal. Biseduam gjithashtu për ata që janë udhëheqës të dobët (properëndimorë)”, shkroi udhëheqësi serb.
Ai nuk tha nëse do të pranonte një ftesë të mëhershme nga Presidenti Putin për të marrë pjesë në një takim të organizatës BRICS të ekonomive në zhvillim, të udhëhequr nga Rusia dhe Kina, që pritet të mbahet në qytetin rus Kazan nga 22 deri me 24 tetor.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia aleate tradicionale sllave e Rusisë, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës edhe pse e ka dënuar me ngurrim agresionin rus. Presidenti Vuçiç ka ritheksuar shume herë se vendosja e sanksioneve nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.
Ai tha të dielën se pret kritika nga Perëndimi për bisedën e tij me Putinin, por nënvizoi se “Serbia është një vend sovran që i merr vet vendimet e saj”.
Ai tha se i shprehu “mirënjohje të jashtëzakonshme” udhëheqësit rus “për mbështetjen e përpjekjeve tona në Kombet e Bashkuara për çështjet e rezolutave të ndryshme dhe veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme për tërësinë tokësore të Republikës së Serbisë”.
Rusia mbështet pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Perëndimit.
Presidenti serb gjithashtu falënderoi Rusinë “për sigurimin e sasive të mjaftueshme të gazit për Serbinë me çmime të favorshme”, duke ju referuar një marrëveshjeje trevjeçare që skadon në mars të vitit 2025. Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, por kohët e fundit ka rënë dakord të fillojë të kërkojë burime tjetra furnizimi.
Serbia shënoi të dielën shënoi 80-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit të saj, Beogradit nga pushtimi nazist i Luftës së Dytë Botërore, i cili u realizua kryesisht falë partizanëve komunistë të ish-Jugosllavisë, por edhe Ushtrisë së Kuqe Sovjetike.
Autoritetet nacionaliste të Beogradit shënuan ditën e çlirimit me një shfaqje ndjenjash pro-ruse, me mijëra veta që parakaluan nëpër Beograd duke valëvitur flamujt rusë.
Në një tubim Presidenti Vuçiç mbajti një fjalim në gjuhën ruse, për të cilin tha se është një shenjë respekti për Ushtrinë e Kuqe, pa të cilën “nuk do të kishte ndodhur çlirimi i Beogradit”.
*Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters