Më 21 tetor 1935 u krijua qeveria e kryesuar prej Mehdi Frashërit.
Emërimi i Frashërit në postin e kryeministrit të Shqipërisë prej Mbretit Zog u mirëprit në shtypin e kohës, pasi ekzekutivi i ri premtonte përmbushjen e një programi reformash liberale.
Kabineti Frashëri përbëhej nga subjekte progresiste, me një edukim elitar në universitetet e lakmueshme të Perëndimit. Krahas detyrës së kryeqeveritarit, Frashëri kishte zëvendësisht edhe rolin e ministrit të Drejtësisë.
Në përbërje të kabinetit ishin: Fuat Asllani, ministri i Punëve të Jashtme, Et’hem Toto, ministri i Punëve të Brendshme, Rrok Gera, ministri i Financave, Nush Bushati, ministri i Arsimit, Ndoc Naraçi, ministri i Punëve Botore dhe Dhimitër Berati, ministri i Ekonomisë Kombëtare. Ky formacion politik që do të qeveriste deri më 7 nëntor 1936, shpalosi një program ambicioz, i cili synonte kryerjen e një sërë reformash në ekonomi, në arsim, në politikën e jashtme dhe në shtypin e lirë.
Programi përmbante 16 projektligje për modernizimin ekonomiko-financiar të vendit. Reformat mëtonin të arrinin të stabilizonin çmimet në tregun e brendshëm, të luftonin spukulatorët dhe të krijonin një kapital industrial në një klimë shoqërore e politike liberale. Në drejtim të politikës së jashtme, kjo qeveri mundi të kornizonte marrëdhëniet italo-shqiptare, kur në mars të vitit 1936, u nënshkrua në Romë një marrëveshje bashkëpunimi mes Frashërit dhe Musolinit.
Krisjet në rrafshin e pushtetit çuan në rrëzimin e qeverisë nga Parlamenti në vjeshtën e 1936-s dhe ky akt parlamentar shënoi edhe një precedent demokratik./atsh/