Grafite denigruse për Fadil Gecin vendosen në Prishtinë

Në Prishtinë janë vendosur disa grafite denigruese për ish-deputetin e Lidhjes Demorkatike të Kosovës (LDK), Fadil Geci, i cili këtë javë ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

“Shka i biri i shkinës”, shkruhet në grafit, njëri prej të cilëve është vendosur në pllakën përkujtimore të ushtarëve të KFOR-it e cila gjendet në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë. Mbi këtë shkrim është vendosur edhe një fotografi e Gecit, ku ai shihet duke dëshmuar në Hagë.

KOHA ka pyetur Policinë e Kosovës lidhur me këta grafitë dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.

Ish-deputeti Fadil Geci gjatë dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë ka theksuar se ish-presidenti, Hashim Thaçi, e ka pasur synim pushtetin dhe se për këtë arsye ai ka dashur që t’i eliminojë pjesëtarët e Lidhjes Demokratike (LDK) në Drenicë e të cilët i ka parë si pengesë.

Ai ka thënë menjëherë pasi që e ka kuptuar se Thaçi e ka shkruar komunikatën numër 59, ai ka shkuar në shtëpinë e tij. Në këtë komunikatë, sipas dëshmitarit, vëllai i tij, Gani Geci, është fajësuar si tradhtar pas vrasjes së pjesëtarit të UÇK-së, Abedin Rexha – i njohur si Sandokani.

Geci ka theksuar se disa shokë të tij nga dega e LDK-së në Drenicë janë vrarë dhe janë kërcënuar.

Ai gjatë dëshmisë ka folur edhe për komunikatën e 59-të të UÇK-së në të cilën vëllai i tij, Gani Geci, ishte etiketuar si tradhtar pas vrasjes së komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha.

Fotografitë: Alban Bujari – KOHA


Atij nga ZPS-ja iu treguan deklarata të Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit lidhur më komunikatën.

Pas kësaj Geci tha se pajtohet me një deklaratë televizive ku Rexhep Selimi kishte thënë se vëllai i tij nuk e kishte vrarë Adedin Rexhën, por ka akuzuar ish-presidentin Thaçi.

Ai gjatë dëshmisë së tij ka folur edhe për ndalimin e aktivistëve të LDK-së, Mehdi Bardhi dhe Cen Desku.
Sipas tij, të dytë i kanë thënë se prapa arrestimit të tyre ka qëndruar i akuzuari Thaçi.