SPAK merr të pandehur deputetin e PS, Plarent Ndreca! Prokuroria: Kur ishte sekretar i Ministrisë së Brendshme shkeli barazinë në tenderë për rikonstruksionin e 4 komisariateve

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili është marrë i pandehur, për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ndreca ka shërbyer në këtë pozicion nga korrik 2019 deri shtator 2020.

Këtë të premte, 25 tetor 2024, përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për t’u njohur me përfundimin e hetimeve. Vetë deputeti i PS Ndreca nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati Ermal Yzeiraj.

Akuza u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.

Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj.