“Ç’dreqin të bëjmë me këta kinezë m…?” Ushtarët rusë ankohen për “ndihmën” nga Koreja e Veriut

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka zbuluar përgjime ku dëgjohen ushtarë rusë që diskutojnë me shqetësim dhe përçmim për trupat koreano-veriore të zhvendosura në Rusi për të ndihmuar në luftën kundër Ukrainës. Trupat koreano-veriore, të koduar si “Batalioni K,” janë të trajnuar në lindje të Rusisë dhe janë vendosur në kampin ushtarak Postoyalye Dvory, pranë rajonit të Kurskut, një zonë ku ka pasur operacione të përhershme luftarake.

Në këto përgjime, të publikuara nga inteligjenca e Ukrainës, dëgjohet se ushtarët rusë thonë “Ç’dreqin të bëjmë me këta?” dhe “kinezët e m….”. Gjithashtu ata shprehin shqetësim për sigurimin e përkthyesve, shkruan A2 CNN. Sipas raportit, çdo 30 trupa do të kenë një përkthyes dhe tre oficerë, duke krijuar një situatë të çuditëshme për ushtrinë ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar këtë vendosje trupash si një përshkallëzim të qartë nga ana e Rusisë dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë presion mbi Rusinë dhe Korenë e Veriut për respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe për ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit, shkruan A2 CNN.

Në samitin e BRICS-it të zhvilluar në Kazan, Presidenti rus Vladimir Putin nuk e mohoi praninë e trupave koreano-veriore, ndërkohë që Koreja e Veriut deklaroi se çdo vendosje e tillë trupash do të ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, pa e konfirmuar zyrtarisht praninë e tyre.