Botimi i ri, Delisula rrëfen hasmëritë që tronditën Tiranën e 1800-ës

Hasmëritë që tronditën Tiranën e 1800-ës’ është titulli më i ri që prezanton Rezarta Delisula. Pas dy veprave të mëherëshme, gazetarja në rolin e studiueses këtë herë e rrëfen historinë e dy familjeve tiranase përmes dokumenteve osmane.

Pashmangshmërisht, ajo lundron mes dokumentesh që kanë lidhje me tokën e saj. rrënjët e diktojnë drejt një misioni që nuk është i thjeshtë, por që Rezarta Delisula tanimë e ka sfiduar veten.

Pas dy librave për Tiranën e saj të dashur, Delisula nxjerr në pah histori që janë shkruar në dokumente osmane, por që grishin me intrigat e familjeve të pasura, fati I të cilave diktohet nga pushteti dhe koha.

Ka zgjedhur që këto histori që në thelb i përmbledh nën titullin “Hasmëritë që tronditën Tiranën e 1800-ës”, t’i prezantojë në një vend të lidhur po aq pashmangshmërisht sa ajo me historitë, në Kalanë e Tiranës, në tokat e ‘Toptanëve’.

Edhe në këtë takim, Rezarta Delisula shpjegoi misionin e saj pa lënë mënjanë thirrjen që të gjitha familjet tiranase të kërkojnë në fotot e tyre familjare, imazhet e një kryeqyteti për të shënjuar memorien kolektive, dhe jo vetëm atë personale.