Hëngrën pica të përgatitura me vaj kanabisi, klientët përfundojnë në spital

Një piceri i famshme në Stoughton në Wisconsin në SHBA është vënë nën hetim pasi disa klientë përfunduan në spital për marrjen e vajit THC, përbërësi aktiv i kanabisit. Substanca kishte përfunduar gabimisht në brumin e picës.

Autoritetet lokale lëshuan një paralajmërim për të inkurajuar qytetarët që blenë picën që ta hedhin atë.

“Nëse keni ngrënë pica dhe jeni duke përjetuar simptoma të lidhura me THC, kontaktoni mjekun tuaj ose telefononi 911 nëse simptomat përkeqësohen. Simptomat përfshijnë marramendje, rritje të presionit të gjakut, rritje të rrahjeve të zemrës, të përziera, të vjella, ankth, panik, paranoja, halucinacione, ndikime në kujtesa afatshkurtër, shtrembërim i kohës dhe përgjumje”, paralajmëroi policia.

Piceria kërkoi falje edhe përmes kanaleve të saj sociale. Nga hetimet paraprake doli se vaji i kontaminuar erdhi nga një zonë e përbashkët magazinimi dhe për këtë arsye ishte përdorur gabimisht. Departamenti i Shëndetit Publik konfirmoi gjithashtu se piceria e famshme “Famous Yeti’s Pizza” funksionon jashtë një pallati me kuzhinë të përbashkët me biznese të tjera. Lokacioni do të qëndrojë i mbyllur për momentin dhe janë asgjësuar produktet e prekura. Autoritetet kompetente po punojnë për gjetjen e origjinës së vajit “special”.