2024 “Viti i Gjuhës Shqipe”, rëndësia për adresimin e sfidave dhe unifikimi i fjalorit

Procesi i globalizimit ka diktuar nevojën e një gjuhe shqipe që qëndron solide dhe dinjitoze përkrah gjuhëve të tjera të globit. Sfida nuk është e lehtë pasi kërkon që ajo të jetë e përpunuar me qëllim kryerjen e funksionit të saj sa më mirë në të gjitha fushat e jetës.

Projekti për hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe me rreth 120 mijë njësi është drejt përfundimit.

“Kjo kërkon që gjuha shqipe të jetë në radhë të parë e përpunuar, të kryej funksionin në të gjitha fushat. Populli është vital, shoqëria është në zhvillim, gjuha është patjetër në zhvillim dhe probleme ka nga më të diskutueshmet”, u shpreh Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Akademinë e Shkëncave.

Sipas akademikut Memisha është me rëndësi aplikimi i politikave të kujdesshme në lidhje me unifikimin e gjuhës shqipe për vetë specifikën që ka kombi shqiptar ku një pjesë e madhe jeton i shpërndarë në shtete të ndryshme të botës.

“Duhet të unifikojmë gramatikën, fjalorin dhe në këtë rast nuk i ha hakun strukturës gramatikore në dialekte. Duhet unifikimi gjuhës nga klasa 2 deri në të 9, jemi shumë të vonuar”, u shpreh Memisha.

2024 është shpallur si “Viti i Gjuhës Shqipe” nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ky vendim tregon rëndësinë që arsimi dhe gjuha shqipe kanë në zhvillimin e identitetit kombëtar./rtsh