Si zgjidhet presidenti në Amerikë? Vota elektorale vendimtare përballë asaj popullore

Në Shtetet e Bashkuara zgjedhjet nuk i fiton kandidati që siguron shumicën e votës popullore por, ai që siguron 270 ose me shume vota elektorale, sipas sistemit te Kolegjit Zgjedhor. Por cilat janë disa nga rregullat që mund të përcaktojnë garën e 5 nëntorit, mes Kamala Harris dhe sfiduesit republikan, Donald Trump. Gazetarja Rosalba Bejdo shpjegon në A2 CNN rregullat e sistemit amerikan të votimit.

Në Shtetet e Bashkuara, një kandidat bëhet president jo duke fituar shumicën e votës popullore, por përmes një sistemi të quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili i cakton vota elektorale 50 shteteve dhe Distriktit të Kolumbias, bazuar kryesisht tek numri i popullsisë së tyre.

Këto janë disa nga rregullat që mund të përcaktojnë garën e 5 nëntorit mes Kamala Harris dhe sfiduesit republikan, Donald Trump.

Çfarë është Kolegji Zgjedhor?

Kur votuesit shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur presidentin, ata zakonisht shohin vetëm emrat e kandidatëve presidencialë, dhe për zëvendës president. E megjithatë, qytetarët po votojnë aktualisht për një grup zgjedhësish, pra anëtarët e Kolegjit Zgjedhor.

Në rang kombëtar ka një total prej 538 votash elektorale, apo elektorësh, që nënkupton se një kandidat duhet të sigurojë 270 të tillë për të fituar.

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë zakonisht besnikë të partisë që zotohen të mbështesin kandidatin që siguron shumicën e votave në shtetin e tyre. Secili prej tyre përfaqëson një votë në Kolegjin zgjedhor.

Në vitin 2020, presidenti amerikan Joe Biden fitoi 306 vota elektorale, duke mundur Donad Trump që kishte 232 të tilla.

Sistemi, i mandatuar nga Kushtetuta amerikane ishte një  kompromis mes themeluesve të kombit, të cilët debatuan nëse presidenti duhet të zgjidhej nga kongresi apo përmes votës popullore.

A kanë shtetet të njëjtin numër votash elektorale?

Jo.

Secili shtet ka po aq elektorë sa përfaqësues dhe senator në kongres. Ka 2 senatorë për secilin shtet, por caktimi I vendeve në dhomën e përfaqësuesve varion, bazuar në numrin e popullsisë.

Kalifornia, shteti me i populluar në SHBA ka 54 vota elektorale.

6 shtetet me popullsinë më të ulët, dhe distrikti i Kolumbias kanë vetëm 3 vota elektorale, numri minimal që i caktohet një shteti.

Kjo do të thotë se një votë elektorale në Wyoming, shteti me më pak banorë, përfaqëson rreth 192 mijë njerëz, ndërsa një votë në Teksas, një prej shteteve me më pak përfaqësi, përkthehet me 730 mijë qytetarë.

Të gjitha përveç dy shteteve mbështeten në qasjen, fituesi i merr të gjitha. Pra, kandidati që fiton shumicën e votave në atë shtet siguron të gjithë votat elektorale të tij.

Sipas këtij sistemi, të fitosh një shtet me diferencë të madhe është e njëjta gjë si ta fitosh atë me vetëm një votë. Për këtë arsye fushatat fokusohen tek ato shtete ku një zhvendosje e vogël mund të çojë në sigurimin e të gjitha votave elektorale të tij.

Në zgjedhjet aktuale shtetet kyçe, apo fushëbetejat kryesore janë 7: Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Karolina e Veriut, Nevada, Pensilvania dhe Uiskoinsin.

A mundet një kandidat të fitojë zgjedhjet pavarësisht se humbet votën popullore?

Po.

Republikani Geogre Ë. Bush në vitin 2000 dhe Trump në 2016 të dy u bënë president pavarësisht se humbën votën popullore. Diçka e tille ka ndodhur 3 herë edhe në vitet 1800, dhe përmendet shpesh nga kritikët si një prej të metave kryesore të sistemit.

Ata argumentojnë se sistemi detyron kandidatët të kërkojnë votat vetëm në një grup të caktuar shtetesh, në vend që të përpiqen për mbështetje në zonat e mëdha urbane.

Kur votojnë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor?

Elektorët takohen më 17 dhjetor për të hedhur zyrtarisht votat e tyre dhe për t’ia dërguar rezultatin Kongresit. Kandidati që fiton 270 vota elektorale ose më shumë bëhet president. Këto vota certifikohen zyrtarisht në Kongres në 6 janar dhe presidenti betohet në 20 janar.

Përgjithësisht mbledhja e anëtarëve të kolegjit zgjedhor është një ngjarje ceremoniale ku ata thjesht vulosin votat për kandidatin që fitoi në shtetet respektive. Por në vitin 2016, 7 prej 538 elektorëve regjistruan votën e tyre për dikë tjetër, në vend të fituesit në atë shtet, një lëvizje jo e zakontë kjo.

33 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë ligje, disa prej të cilavve përfshijnë ndëshkime penale, në përpjekjen për të parandaluar elektorët të votojnë për dikë tjetër.

Çfarë ndodh nëse ka barazim?

Një prej të metave të sistemit të votimit është se teorikisht ai mund të prodhojë një rezultat të barabartë, 269 me 269. Nëse diçka e tillë ndodh, dhoma e sapozgjedhur e përfaqësuesve do të vendosë fatin e presidencën më 6 janar, me secilin shtet që votonin si njësi, sipas asaj që kërkohet në amendamentin e 12 të kushtetutës amerikane.

Aktualisht, Republikanët kontrollojnë 26 delegacione shtetërore, ndërsa demokratët 22. Minesota dhe Karolina e Veriut janë të ndara njëlloj mes anëtarëve demokratë dhe republikanë.

A do të ndryshojë ndonjëherë sistemi i Kolegjit Zgjedhor?

Kongresi po përpiqet të riparojë të metat që u ekspozuan pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur Trump pretendoi në mënyrë të rreme se kishte fituar. Prokurorët thanë se ai u bëri presion zyrtarëve shtetërorë të përmbysnin rezultatin.

Në vitin 2022, Kongresi miratoi Aktin e Reformimit të Numërimit Elektoral, për të sqaruar se çdo guvernator apo zyrtar tjetër I zgjedhur I një shteti, do të certifikojë rezultatin para se ai të dërgohet në kongres. Ligji përcakton gjithashtu një afat të detyrueshëm për certifikimin e rezultateve, duke i dhënë shteteve 36 ditë pas zgjedhjeve të 2024, për të kompletuar rinumërime të mundshme.

Shfuqizimi i sistemit të Kolegjit Zgjedhor, do të kërkonte ndryshime kushtetuese.