Screenshot

Pse u ekzaltuan serbët nga fitorja e Donald Trump

Me një gotë raki para, shoqëruar me pak djathë, një vezë të skuqur dhe një copë sallam në pjatë, serbi Milorad Dodik, president i Republikës Serbska të Bosnje Hercegovinës organizoi një aheng të vogël në zyrat e presidencës me rastin e fitores së Donald Trump në Amerikë. Ndërkohë që i thërrisnin njëri-tjetrit vargjet e këngëve të vjetra patriotike, nën tingujt e fizarmonikës që mbushte zyrën e presidencës, vartësit e Dodikut herë pas herë i hidhnin sytë nga ekrani i FOX NEWS, pastaj ngrenë prap dolli për ikjen e administratës së demokratëve. Shikoni filmimin më poshtë:

I shpallur non grata nga SHBA, si një ekstremist serb, partizan i shpërbërjes së Bosnje-Hercegovinës, Dodik e shndërroi në zijafet rezultatin e 5 Nëntorit në SHBA. Si kunjë ndaj administratës që po ikën nga ambasada amerikane në Sarajevë shkroi në rrjetet sociale: “Meqenëse Ambasada Amerikane në Sarajevë nuk e organizoi festën e fitores së Donald Trump, e organizova unë si President i Republikës Srpska”.

Sateliti i Vuçiçit në Bosnje Hercegovinë, ithtar i vjetër “Botës Serbe”, nuk është i vetmi nga radhët e serbëve që nuk e përmbante dot ngazëllimin për triumfin e kandidatit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Një ditë pasi Donald Trump u konfirmua fitues në SHBA, një avokat serb u ndalua nga policia në Leposaviq, komunën me shumicë serbe në Kosovë. Veselin Radoviqi po ngjiste postera të presidentit të zgjedhur nëpër xhamat e dyqaneve. Në sfondin e fotos të Trump ishin dy flamujt, ai amerikan dhe ai serb.

Nuk dihet përse, policia e Kosovës u ndje e provokuar dhe nxitoi t’i tëheqë vërejtjen avokatit. Fotot e policëve të Kosovës që grisnin posterta e Trump bënë xhiron në mediat serbe.

I njëjti veprim u tha se kishte ndodhur edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Trumpist u zgjua në 6 nëntor edhe krimineli serb i luftës Vojisllav Sheshel.

Kriminel lufte me vendim të gjykatës së Hagës, i dënuar me 10 vjet burg për krimet e çetnikëve në Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Vojvodinë, Shesheli kur bën llogaritë, i del se serbëve u intereson më shumë fitorja e Trump.

“Është një zgjidhje shumë më e favorshme për popullin serb. Biden ishte i orientuar kriminalisht ndaj serbëve, ndoshta Kamila (Kamala Harris) do të vazhdonte politikën e tij” – ka thënë radikali serb për alo.rs.

Në fakt, kudo në mediat serbe gjen tituj dhe shkrime entuziastë për fitoren e Trump. Edhe personazhe të spektaklit kanë nisur të shprehin admirimin e tyre për presidentin e 47 të SHBA. Një media serbe ofron 1 milion e gjysëm dollarë për një intervistë me Trump.

E gjithë kjo dashuri për Trump e ka një shpjegim. Serbët e shohin zgjedhjen e tij, në raport me Kosovën.

Gëzimi i Trump, hidhërimi i Albin Kurtit

Në një nga rrugët e Beogradit është një poster i Donald Trump me përmasa reale që tërhoqi vëmëndjen e mediave. Qytetarët ftohen të bëjnë foto me Trump, ta postojnë në rrjetet sociale dhe t’i bashkangjisin postimit emrin e Albin Kurtit (ta bëjnë tag).

Ndërsa pasqyron lajmin e fotos me Trump në rrugët e Beogradit, media serbe Blic aludon se fitorja e Trump nuk është arsye që Kurti të jetë i lumtur.

“Kryeministri i Kosovës” Aljbin Kurti, së bashku me bashkëpunëtoren e tij, të vetëshpallurën “Presidente” Vjosa Osmani, i kishin varur të gjitha shpresat në fitoren e Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai qeshte, por tani me siguri po qan, sepse fitoi republikani Donald Trump!” shkruan Alo.rs në një artikull.

Serbët i referohen një vizite që zhvilloi Kurti në SHBA në gusht, kur mori pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago.

Ai pati atëherë një takim me Kamala Harris dhe kreun e demokratëve në senat Chuck Shumer. Në foton më poshtë të gjithë duken të buzëqeshur.

Kjo është hera e dytë që kryeministri i Kosovës rreshtohet në anën e demokratëve.

4 vite më parë, gjatë fushatës Trump-Bajden, Kurti si kryeministër i Kosovës i bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në SHBA të votojnë për Xho Bajden.

Kjo është vetëm një nga aryet që i bën serbët të ekzaltohen për rezultatin në SHBA. Ndërsa janë në pritje të dobësimit të pozitave të Albin Kurtit, media serbe Blic vazhdon me disa të dhëna që tregojnë simpatinë për Trump në Serbi.

Sondazhet treguan se para zgjedhjeve në Amerikë, Trump kishte mbështetjen më të madhe në Serbi nga të gjitha vendet evropiane pas Rusisë . Sipas disa sondazheve, rreth 67 për qind e qytetarëve serbë brohoritën për fitoren e Trumpit, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pohon se kjo mbështetje ishte edhe më e lartë dhe shkoi deri në 90 për qind, kryesisht për faktin se ata e mbajnë mend nga kush i erdhi bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999.

Rikthimi i “buldozerit” Riçard Grenell

Në 4 vitet që shkuan serbët nuk e kanë harruar Riçard Grenellin, amerikanin që i mbështeti si pakkush tjetër në Departamentin e Shtetit gjatë mandatit të parë të Trump.

Jo më kot presidenti serb Aleksandër Vuçiç e dekoroi Grenellin me “Urdhrin e Flamurit serb” si një nga diplomatët që i doli në mbrojtje interesave të tij në SHBA. Ishte pikërisht Grenell që organizoi grushtin e shtetit për të rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit, ndërsa në të njëjtën kohë e kërcënonte Kosovën me braktisje të perëndimit.

Bashkë me rikthimin e Trump, në mediat serbe trumbetohet fort rikthimi i Grenellit, ndryshe i quajtur “buldozeri” amerikan dhe për të cilin kanë nisur projeksionet e para. Ndonjë e shpall asistent të sekretarit të shtetit për Evropën e deri tek posti i sekretarit të shtetit.

Sa më lart të ngjitet Grenell në karrierë, aq më të forta i shohin serbët goditjet që do të bien për Albin Kurtin. Zoran Vuletiç, kryetar i Forumit Civil Demokratik, i cituar nga Blic, kujton se Grenell është një kritik i madh i Kurtit.

“Qeveria serbe ka marrëdhënie shumë të ngushta me Richard Grenellin. Dhe ai potencialisht do të jetë një nga njerëzit më të rëndësishëm në administratën e re të Trump. Thashethemet thonë se ai ose do të jetë sekretar i shtetit ose kreu i Departamentit të Shtetit, ose këshilltar për sigurinë kombëtare. Këto janë dy pozicionet kyçe pas Presidentit të SHBA. Pra, është shumë e mundur që tani, ndryshe nga hera e mëparshme, Serbia ta ketë marrë me mend se në cilën rrugë të shkojë. Sepse Grenell, le të themi, shumë seriozisht, e ka kritikuar Albin Kurtin dhjetë vitet e fundit. Ai ka qëndrime shumë të ashpra ndaj tij”.

Grenell ishte njeriu që i përdori interesat e Kosovës në funksion të fushatës elektorale të Donald Trampit, në marrëveshjen e famshme të ëashingtonit,  e cila iu desh presidentit Donald Trump si një trofe i politikës së jashtme.

Ishte po Grenell që u implikua si diplomat në shkëmbimin e territoreve dhe në ndarjen e Kosovës dhe këtu vijmë në një ide të vjetër të serbëve që u rikthye sërish në titujt e mediave serbe.

Ideja e ndarjes së Kosovës dhe Vuçiç si admirues i Trump

Kuptohet se njeriu që ka ngjizur këtë dashuri të mediave serbe ndaj Donald Trump është Aleksandër Vuçiç. Ai u mburr se ishte ndër të parët në botë që e uroi Donald Trump për fitoren dhe doli në media për ta theksuar këtë, shoqëruar nga një dozë vetëkënaqësie.

“Isha ose i pari ose ndër të parët në botë. Ndoshta këtë e ka bërë vetëm kryeministri australian. Kam biseduar edhe me njerëz nga mjedisi i tij më i afërt. Ka disponime të ndryshme në vende të ndryshme. Në Evropë, më e preferuara për fitoren ishte Kamala Harris, dhe në Serbi të gjithë shpresonin në fitoren e Donald Trump, për shkak të ngjarjeve të vitit 1999. Shumë njerëz thanë se ai ishte djalli, por tani do t’u duket si engjëll, kështu që do t’i nxjerrin krahët”

Kur gazetarët e pyetën Vuçiçin se përse fitorja e Trump e ka gëzuar, ai nuk dha ndonjë arsye që lidhet me Serbinë, por tha se Trump do të ndalë luftën në Ukrainë dhe do të rikthejë paqen.

“Është e rëndësishme për mua që ai është biznesmen dhe besoj se marrëdhëniet tona do të jenë edhe më të mira” tha Vuçiç

Vuçiç është në një marrëdhënie biznesi me familjen Trump. Në maj, qeveria e tij firmosi marrëveshjen me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrin e Trump për një investim 500 milion dollarë në qendër të Beogradit.

Megjithatë shpresat e Vuçiç për të ardhmen shkojnë përtej fitimeve të biznesit. Basti i humbur i Albin Kurtit për Kamala Harris, rikthimi i “buldozerit” Riçard Grenell në Ballkan apo edhe lidhja e biznesit me dhëndrin e Trump, çojnë të gjitha në një drejtim: në planet e Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Rikthehet ideja e ndarjes së Kosovës në media

Në Serbi nuk kanë pritur gjatë për të folur mbi planet e ndarjes së Kosovës. Blic kujton mandatin e parë të Trump, kur një president serb hyri në zyrën ovale për marrëveshjen e Washingtonit.

“Gjatë atij mandati ai nuk është marrë shumë me Serbinë, por kujtohet se ka lejuar shqyrtimin e delimitimit apo ndarjes së territorit si zgjidhje në lidhje me çështjen e Kosovës” shkruan Blic.

Parashikimin për rikthimin e idesë së ndarjes së Kosovës e bëjnë edhe “ekspertët”. Citohet mes tyre Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm.

“Nëse Trump bëhet sërish president, mund të kthehemi në periudhën kur Vuçiç dhe Thaçi diskutuan për delimitimin dhe shkëmbimin e territoreve, me faktin se tani situata nuk është e njëjtë si në vitin 2018 dhe 2019, kur serbët kishin pushtet sovran në në veri të Kosovës – ka thënë ai për “Blic”.

Idenë e rikthimit të ushtarëve serbë në Kosovë e ka përmendur edhe Branimir Nestoroviç, drejtues i forcës politike “Ne – Zëri nga Populli”. I cituar nga media serbe Danas, shefi i kësaj partie të vogël politike të Serbisë thotë se Vuçiç nuk mund të ankohet më se ka presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani që Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë.

 “Çfarë presioni do të ketë nëse SHBA-të, që janë shpirti i atij pakti të NATO-s dhe botës perëndimore, nuk janë të interesuara për Kosovën? Çfarë lloj presioni është ai? Atëherë duhet të kërkojmë atë që kanë thënë rusët, të kthehen ushtarët dhe policët tanë në Kosovë” ka thënë ai.

Koha do të tregojë nëse serbët kanë pasur të drejtë të festojnë për fitoren e Trump, apo e gjitha është një lojë e madhe e propagandës. Në kushtet kur ekuilibrat e fuqive të mëdha do të ndryshojnë, intuita për të kuptuar nga fryn era është një nevojë ekzistenciale e autokratëve të vegjël.

Pasi mbaroi gotën e rakisë, Milorad Dodik lëshoi një mesazh të dytë në rrjetet sociale: “Ne në Srpska do të kemi të paktën pak më shumë mundësi për të arritur në qendrat e pushtetit nga pikëpamja e interesave tona”. Dhe këtu duket se ka të drejtë.