Flamujt kuqezi valëviten në kufi me Serbinë

Në prag të 28 Nëntorit, ish-ushtarët e Zonës Operative të Llapit ndërmorën një aksion simbolik duke vendosur 444 flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së përgjatë rrugës Podujevë-Merdarë. Aksioni nisi nga rrethi me shqiponjë në Podujevë dhe përfundoi te pika kufitare me Serbinë në Merdarë, si homazh për festat e nëntorit dhe dëshmorët e rënë për lirinë e vendit.

Sipas organizatorëve, ideja për këtë nismë erdhi nga ish-ushtari Baki Ejupi, i cili nuk jeton më. Në shenjë respekti, shokët e tij dhe familja realizuan këtë projekt në bashkëpunim me organizatën e veteranëve të luftës.

Numri i flamujve, 444, ka një simbolikë të veçantë, pasi lidhet me vitin 1444, kur u mbajt Kuvendi i Lezhës nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Ky gjest simbolik pritet të mirëpritet nga mërgimtarët dhe të gjithë qytetarët, duke u kthyer në një mesazh krenarie dhe uniteti për të gjithë ata që kalojnë këtë rrugë, veçanërisht gjatë festave të nëntorit.

Përveç Ditës së Flamurit Kombëtar, 28 Nëntori shënon edhe daljen e parë publike të UÇK-së, një ngjarje me rëndësi të veçantë për Kosovën.