Shqiptarët fshihen nga adresat në Luginën e Preshevës, reagon Ministria e Jashtme: Shkelje e të drejtave të njeriut

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ministria shprehet se po shkelen të drejtat e njeriut dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës po privohen nga qasja në shërbimet bazë.

‘Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndjek me vëmendje fenomenin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë. Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore.

Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre.

Ministria ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave.’

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.