Selektori rumun flet për “dënim të shumëfishtë” nga UEFA

Përfaqësuesja e Rumanisë në futboll e fitoi me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen ndaj Kosovës. Por Rumania ka humbur shumë me vendimin e UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë ndaj Kosovës, thotë përzgjedhësi rumun, Mircea Lucescu.

UEFA të mërkurën mori vendimin për ndeshjen e 15 nëntorit. Ia dha fitoren Rumanisë me rezultat zyrtar, 3:0. Federata e Futbollit e Rumanisë u dënua me 128 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues. Federata e Futbollit e Kosovës u dënua me gjashtë mijë euro.

Ndeshjen pa shikues, Rumania do ta zhvillojë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Shorti për kualifikimet e Botërorit 2026 do të tërhiqet më 13 dhjetor.

“Nuk është lajm i mirë. Në Ligën e Kombeve ishte krejtësisht ndryshe. Dhe këto shorte ‘online’ i kam frikë. Uroj të mos luajmë ndeshjen e parë në shtëpi kundër skuadrës më të mirë të grupit. Mendoj se do të ishte një hendikep të paraqitemi pa shikues. Nuk isha aq i interesuar për dy pikët sa për të mos na pezulluar fushën. Fakti që nuk luajmë me shikues do të thotë një dëm prej qindra mijëra eurosh. Që do të thotë shumë për qendrat e fëmijëve dhe të rinjve. Nuk është se na kanë dënuar mbi 100 mijë. Humbim edhe qindra mijëra të tjera. Ata shfrytëzuan të gjitha gabimet që bëmë të gjithë. Dhe sigurisht u gjobitëm. Ne lamë përshtypjen se ishim fajtorë”, ka thënë Lucescu për “Fanatik”.

Lucescu ka kritikuar dy lojtarët e Rumanisë, Denis Alibec dhe Florin Nita për incidentin në fund të ndeshjes.

Alibec pati një përplasjeje në fushë me kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani. Më pas u përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna kishte thirrje “Serbia, Serbia”. Pas thirrjeve, lojtarët e Kosovës u tërhoqën nga fusha dhe refuzuan të kthehen për të vazhduar ndeshjen.

“Unë fola me djemtë para ndeshjes dhe u thashë ‘Mos bëni asnjë reagim ndaj asnjë provokimi. Ata me siguri do ta bëjnë nëse nuk mund të fitojnë. Dhe ata do ta bëjnë këtë provokim, ndërsa juve nuk ju lejohet të reagoni’. Alibec bëri një gabim të madh. Nëse qëndronte i rrëzuar pa lëvizur, absolutisht asgjë nuk do të ndodhte. Ai reagoi. U ngrit menjëherë si gjel për të luftuar me Rrahmanin. Normalisht që nuk i lejohet. Në fund të ndeshjes nuk varet më nga cilësia fizike apo teknike. Kjo varet nga inteligjenca e lojtarëve”, është shprehur Lucescu, që është prej emrave më të mëdhenj dhe më të respektuar të futbollit rumun.

“Florin Nita nuk kishte çfarë kërkonte atje. Tërhoqi vëmendjen. Ai nuk duhej të kalonte të gjithë fushën dhe të tërhiqte vëmendjen e publikut. Vlen të përmendet se a ka reaguar publiku. Jo. Lojtarët duhet të kujdeseshin për punën e tyre, në pozicionet që kishin. Sepse ata mezi prisnin të ndodhte një tollovi”.

Lucescu ka folur edhe për mundësinë që Suedia të paraqesë ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për vendimin e UEFA-s.

“Disa nga njerëzit tanë jashtë vendit i konsiderojnë si lypës. Kështu u sollën. Suedia po lyp. Nuk është e mundur në këtë nivel të bësh një gjë të tillë. Suedia nuk kishte të drejtë të ndërhynte në diskutim. Është e pabesueshme. E pyetëm veten se si fituan kundër Azerbajxhanit”, është shprehur Lucescu.

Rumania fitoi Grupin C2 të Ligës së Kombeve, ndërsa Kosova do të paraqitet në plejof.