Genc Sejko
Sado të përpiqet Edi Rama, nuk mund ta shmangë faktin që lajmi kryesor i takimit të tij në Londër me emigrantët shqiptarë ishte protesta e disa shqiptarëve kundër qeverisjes së tij. Forma e zgjedhur nga protestuesit mund të mos ketë qenë më e përshtatshmja, por në një shoqëri të qytetëruar, çdo individ ka të drejtën e protestës, ashtu si forcat e rendit kanë të drejtën të reagojnë. Etiketimi i protestuesve si “diversantë” tregon mungesën e reflektimit nga ana e Edi Ramës, i cili duket se ende nuk e kupton që terminologjia komuniste është e papërshtatshme për një lider të një vendi demokratik. Për më tepër, termi “diversant” historikisht i referohet atyre që përpiqeshin të rrëzonin regjimin komunist, dhe përdorimi i tij me një ngarkesë negative është një reminishencë e realizmit socialist.
Gjatë fjalimit të tij, Edi Rama tentoi të përcillte mesazhe kundër ndarjeve mes shqiptarëve, por nuk arriti të shmangte polarizimin e skajshëm politik, i cili ishte i pranishëm edhe mes shqiptarëve në Angli. Ndërsa kërkonte votën e tyre për zgjedhjet e ardhshme, Kryeministri i Shqipërisë nuk e adresoi asnjëherë atë që shteti shqiptar duhej të kishte bërë për t’i ndihmuar shqiptarët e Londrës dhe të Anglisë. Retorika politike nuk i zgjidh problemet e emigracionit shqiptar në Britaninë e Madhe.
Disa ditë më parë, profesori shqiptar në King’s College, Andi Hoxhaj, identifikoi disa nga problemet më të rëndësishme:
1. Në Britani besohet se mbi 90% e shqiptarëve nuk i kanë dokumentet e rregullta. A do të negociojë Shqipëria me Britaninë për të krijuar një skemë legalizimi?
2. Çfarë do të bëjë pala shqiptare për të adresuar shqetësimet mbi “krimin e organizuar shqiptar në Britani”, që sipas National Crime Agency konsiderohet një kërcënim për sigurinë kombëtare? Ky perceptim ndikon që media dhe politikanët britanikë t’i shohin shqiptarët si një komunitet problematik.
3. Çfarë marrëdhënie do të ndërtojë Shqipëria me Britaninë pas zgjedhjeve të vitit 2025? Si do të fokusohet bashkëpunimi, për shembull në arsim, tregti, apo çështje të emigracionit të ligjshëm?
Këto janë disa nga problemet reale të emigracionit shqiptar në Britani. Retorika patriotike, mbushja e sallave për qëllime elektorale apo konfliktet mes shqiptarëve në Londër vetëm sa dëshmojnë paaftësinë e klasës politike për t’i ndihmuar shqiptarët. Nëse Edi Rama dëshmoi sot mungesë empatie për komunitetin shqiptar në Angli, opozita shqiptare nuk tregoi më shumë maturi, duke përqendruar vëmendjen e saj vetëm tek incidentet e takimit me Ramën. Protesta është një akt normal dhe revolta është e justifikuar, por kur politika shqiptare reduktohet në përplasje fizike, kjo nuk i shërben interesit publik, as të shqiptarëve në Britani, as të atyre në Shqipëri.
Militantët janë shpesh “mish për top” për interesat politike, ndërsa problemet dhe interesat e shqiptarëve kërkojnë seriozitet dhe zgjidhje konkrete. Për ta mbyllur, mund të thuhet se të gjithë sot në Londër ndihen të dhunuar: protestuesit që u goditën fizikisht, ne që pamë të përsëriten skenat e dhunës që zakonisht ndodhin në Tiranë dhe nuk e prisnim të ndodhnin në Britani, dhe më së shumti ata që duartrokitën Kryeministrin në sallë ndërkohë që goditeshin bashkëatdhetarët e tyre. Për këta të fundit flet gjërë Sindroma e Stkoholmit.