Deputetja britanike Alicia Kearns reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për mohimin e krimeve në Kosovë

Deputetja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mohimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë më 1998/1999 nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Në një intervistë për BBC-në, Vuçiq u pyet për të kaluarën e tij si anëtar i Partisë Radikale Serbe dhe mbështetës i idesë së “Serbisë së Madhe” – një ideologji që çoi në luftë dhe krime të rënda në Ballkan.

Gazetari i BBC-së e sfidoi presidentin serb me pyetjen: “Ju keni qenë anëtar i Partisë Radikale Serbe, ideologjikisht i përkushtuar në vizionin e Serbisë së Madhe, e cila solli humbje të mëdha jetësh dhe krime lufte. Sa keni ndryshuar sot si president i Serbisë?”

Vuçiq, në përgjigjen e tij, tha: “Nuk më vjen turp të them që kam ndryshuar, por nuk pajtohem me ju për atë se kush ishte fajtor dhe kush përgjegjës për ngjarjet e asaj kohe. Ne kemi pikëpamje të ndryshme, përfshirë edhe rolin e fuqive perëndimore që ndikuan në atë situatë.”

Reagimi i Kearns erdhi pas kësaj deklarate, të cilën ajo e cilësoi si një sulm të qëllimshëm dhe të rrezikshëm.

Në një postim në platformën “X”, Kearns shkroi: “Mohimi është një armë që synon të lëndojë njerëzit dhe institucionet që janë ngritur nga hiri i luftës. Ai përbën vazhdimësi të vetë krimeve – ajo që fillon me dhunë dhe vrasje vazhdon përmes falsifikimit të historisë.”

Ajo theksoi se qëndrime të tilla, si ato të shprehura nga Vuçiq, minojnë përpjekjet për pajtim dhe drejtësi në rajon, duke nënvizuar se mohimi i krimeve është një formë e vazhdimësisë së dhunës së kaluar.