“Shkodra n’Fest” e shndërroi natën e ndezjes së ditave në mbrëmjen magjike shkodrane

Nga Albert Vataj

Mbrëmja e 1 dhjetorit, mbrëmja e parashikuar nga autoritetet vendore të Shkodrës, si nata ndezjes së dritave, na ballafaqoi me diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në përmasa të tilla. Kjo ishte hera e parë dhe fillimi i një angazhimi, që do ta fusë Shkodrën në pretendimet e organizimeve të mëdha, jo në sfidë me Tiranën, por me mundësitë që shpirti i qytetit potencon.

Ngjarja e mbrëmshme është vazhdimësi e dinamizmit të jetës së gjallë të qytet, është era e re në të cilën e futi kryebashkiaku Benet Beci dhe stafi i tij i qeverisjes vendore, Shkodrën, qytetin e artit dhe artistëve, kryeqendrën e zhvillimeve të kahershme kulturore-artistike, të tilla që e shënjuan atë në hartën e botës, në qytetin ku kryqëzohen jo vetëm lumenjtë, por edhe rrugët, kulturat dhe rrymat e fuqishme të kapërcyellit të shekullit të shkuar.

E gjithë Shkodra ishte mbrëmë më 1 dhjetor 2024, pjesë e një nate festive, natën e ndezjes së dritave, e fillimit të një muaji festash, që do të bëjnë që qyteti të ketë të gjallë, jo vetëm jetën e natës, por edhe atë artistike të të gjithë zhanreve, dhe jo vetëm.

Siç u përcoll edhe në media, Shkodra ka ndezur mbrëmë dritat e festave të fundvitit në një atmosferë elektrizuese, të paparë më parë dhe të papërjetuar me një forcë të tillë përfshirjeje dhe përjetimi. Numërimi mbrapsht është bërë nga kori i fëmijëve, kryebashkiaku Benet Beci dhe nga qytetarët që ishin të pranishëm.

E tillë ishte kjo natë, aq sa edhe Kryeministri Edi Rama e ndau magjinë e kësaj mbrëmje shkodrane në rrjetet sociale përmes pamjeve që nga momenti i ndezjes së dritave e në vijim të gjithë këtij kremtimi, ndërsa e shoqëroi këtë me shprehjen, “Shkodra gati për dhjetorin e festave”.

“Shkodra n’Fest” e shndërroi mbrëmjen e kryeqendrës së Veriut në një natë magjike, i cili çeli rrugëtimin e atmosferës festive që do të vijojë për të kulmuar në fundvit, kur numërimi mbrapsht do të ndalojë dhe Shkodra do të hyjë në vitin e ri 2025.

E parë në një prizëm më të gjerë, mbrëmja e 1 dhjetorit 2024 është fillimi i një rilindje të vërtetë të Shkodrës, një zgjimi të saj, një shndërrimi të këtyre vlerave në kapacitete për të gjallëruar dhe rivitalizuar Shkodrën e madhe, pas një apatie të gjatë që e zhyti gjithnjë e më thellë në konfliktualitet politik dhe varfëri e atyre që e keqqevrisën pushtetin vendor, duke e hedhur gjithnjë e më në periferi pretendimet e këtyre vlerave, me të cilat përfaqësohet Shkodra.

Sot, të gjithë kanë diçka për të thënë, më shumë se për nusërimin me ngjyrat e festës të qytetit, shumë më shumë, për të lexuar për gjithçka që po bëhet që Shkodra të ndryshojë, Shkodra ta meritojë emrin dhe traditën që kultivuan ata, të cilët na e lanë amanet atë.