Delegacioni i përhershëm i Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë ka hapur “Ekspozitën për manastiret mesjetare serbe në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”. Bëhet fjalë për imazhe të katër monumenteve të Kosovës që janë në listën e UNESCO-s ku bëjnë pjesë asetet e trashëgimisë botërore në rrezik. Këtë status e kanë marrë pas trazirave të marsit të vitit 2004. Përderisa Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar e as nuk është përgjigjur për këtë çështje, për ata që merren në baza ditore me trashëgimi kulturore, shteti duhet të punojë në promovim
Salla “Ségur” e selisë qendrore të UNESCO-s i ka bërë nikoqirllëk një ekspozite të shtetit serb. Aty janë paraqitur katër monumente të Kosovës. Delegacioni i përhershëm i Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë ka hapur “Ekspozitën për manastiret mesjetare serbe në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”.
Bëhet fjalë për imazhe të katër monumenteve të Kosovës që janë në listën e UNESCO-s, ku bëjnë pjesë asetet e trashëgimisë botërore në rrezik. Këtë status e kanë marrë pas trazirave të marsit të vitit 2004. Përderisa Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar e as nuk është përgjigjur për këtë çështje, për ata që merren në baza ditore me trashëgimi kulturore, shteti duhet të punojë në promovim.
Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren, të gjendura në këtë listë në emër të Serbisë, nga fqinji verior i Kosovës vazhdimisht paraqiten si asete të rrezikuara. E Kosova me një pako të veçantë ligjesh e ka avancuar statusin legal të monumenteve që kanë karakter religjioz ortodoks siç nuk ndodh me asnjë aset tjetër të trashëgimisë kulturore në shtetin më të ri të Evropës.
Ekspozita është hapur nga patriarku i Kishës Ortodokse të Serbisë, Porfirije. Për këtë kanë raportuar disa media serbe, duke shfrytëzuar një komunikatë të Ministrisë së Kulturës të Serbisë. I pranishëm aty ishte edhe ministri i Kulturës i Serbisë, Nikolla Selakoviq.
Ekspozita është hapur me rastin e 20-vjetorit të futjes së Manastirit të Deçanit në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Ministri Selakoviq të pranishmëve u ka thënë se “trashëgimia kulturore serbe në Kosovë dhe Metohi, edhe në shekullin 21, është një nga më pasuritë kulturore më të rrezikuara në Evropë”. Sipas komunikatës së Ministrisë që ai udhëheq, Selakoviq ka thënë se përkundër statusit që kanë këto monumente, “sulmet ndaj tyre janë të vazhdueshme”.
“Përpjekjet për të riemërtuar dhe falsifikuar historinë janë bërë pothuajse të përditshme. Vetëm në periudhën 2023-2024 kishte 31 sulme, shumica e të cilave kishin për qëllim shkatërrimin dhe përdhosjen e pasurisë kulturore”, citohet të ketë thënë Selakoviq. Ai nuk ka përmendur burimin e të dhënave për këto sulme. U është rikthyer trazirave të vitit 2004 kur disa monumente janë dëmtuar, por s’ka treguar se krejt dëmet janë riparuar me buxhet të Republikës së Kosovës.
Kurse patriarku i Kishës Ortodokse të Serbisë, Porfirije, citohet të ketë thënë se banorët e Manastirit të Deçanit historikisht janë përballur me vështirësi dhe ajo gjendje vazhdon edhe sot.
“Patriarku tha se si themeluesit e Manastirit, ashtu edhe banorët e tyre i përkasin një kombi specifik, por të ndriçuar nga hiri i Zotit, ata i kapërcejnë kufijtë e kombit nga i cili kanë ardhur dhe bëhen universalë dhe me dashuri u përkasin të gjithëve…”, shkruhet në komunikatë.
Midis tjerësh, aty kanë folur drejtori i Zyrës për Diplomaci Kulturore dhe Publike në Qeverinë e Serbisë, Arno Guyon, e edhe drejtori i Qendrës për trashëgimi botërore në UNESCO, Lazare Eloundou Assomo.
“UNESCO merr pjesë aktive në promovimin e Listës së trashëgimisë Botërore në Rrezik dhe përfshirja në këtë listë njeh vlerat universale të atyre lokaliteteve që komuniteti ndërkombëtar duhet t’i ruajë”, citohet të ketë thënë ai.
KOHA i ka adresuar pyetje UNESCO-s për këtë ekspozitë të hapur të martën e kaluar. Por, zyrtarët e kësaj organizate nuk janë përgjigjur. Njësoj ka vepruar edhe Ministria e Kulturës.
Udhëheqësi i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, Sali Shoshi, ka thënë se ekspozita nuk është befasi nga ana e Serbisë. Sipas tij, Kosova duhet të avancojë standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe të bëjë promovimin e saj.
“Kjo është më e mira që mund të bëjë Kosova, përfshirë edhe për monumentet religjioze ortodokse. Kjo është përgjigjja më e mirë. Është mirë që të shfrytëzohen të gjitha kanalet për të informuar ndërkombëtarët për kujdesin që bën Kosova në vazhdimësi. Ne nuk kemi nevojë dhe nuk kemi hesap të biem në grackën e propagandës së Serbisë pasi ata e kanë luftën e vet. E jona është të ngremë standardet”, ka thënë Shoshi.
Ka kujtuar se pas shpalljes së Pavarësisë më 2008, Kosova ka miratuar ligje që e ngritin në nivel më të lartë trashëgiminë ortodokse.
“Ka ofruar mbrojtje duke caktuar edhe perimetrat e çdo gjë tjetër për ato monumente. Kjo nuk është bërë për monumentet e tjera, pasi nuk kanë status kaq të avancuar të mbrojtjes”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, Kisha Ortodokse e Serbisë është njëfarë binomi me qeverinë serbe në propagandë. Sipas tij, të dhënat e ofruara nga ky binom janë të falsifikuara.
“Incidentet që ndodhin në Kosovë janë me masë tejet të vogël me prapavijë etnike. Janë incidente ordinere. Raporti i fundit i Progresit s’ka asgjë nga sfidat e mëhershme. Pastaj as raportet e tjera ndërkombëtare nuk shpërfaqin ndonjë incident serioz”, ka thënë Shoshi.
Propaganda e Serbisë në raport me disa asete të trashëgimisë kulturore të Kosovës ka qenë vazhdimisht e madhe.
Në prill të 2021-s, propaganda e Beogradit dhe e Kishës Ortodokse Serbe ia doli që organizata e njohur e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra” – ta përfshijë Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë në nivel të kontinentit.
KOHA kishte raportuar se rol kryesor për nominimin e Manastirit të Deçanit kishte luajtur “Raporti shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës me seli në Beograd.
Ky Institut, i cili është institucion i Ministrisë së Kulturës, përgatit raporte vjetore për gjendjen e katër monumenteve mesjetare të Kosovës që janë pjesë e listës së UNESCO-s për trashëgiminë kulturore në rrezik.
Raportet e institucionit serb janë përdorur për të shkruar edhe arsyetimin se përse “Europa Nostra” e ka listuar Manastirin si “monument në rrezik”.
“Plani hapësinor komunal lokal nuk është në përputhje me rregullat e rrepta të mbrojtjes për një trashëgimi botërore të UNESCO-s ose me ligjet dhe rregulloret përkatëse kombëtare. Ekziston një rrezik i vazhdueshëm i ndërtimit të objekteve të papërshtatshme urbane në afërsi të Manastirit, si dhe rreziku i shpronësimit të tokës që i përket Manastirit të Deçanit”, kishte shkruar “Europa Nostra”.
Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006, ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren po ashtu kanë hyrë në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë” e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.