BBC: Rënia e Asadit është një humbje e madhe për Moskën, rusët do ta kenë të vështirë të dëshmojnë të kundërtën

Fuqia e zjarrit rus ka qenë një faktor kyç në mbajtjen e Bashar al-Assad në pushtet për nëntë vitet e fundit.

Por në vetëm pak ditë duket se projekti i Kremlinit në Siri ka dështuar, ndërkohë që Moska me sa duket është e pafuqishme të bëjë asgjë për këtë.

Rënia e regjimit të Asadit është një goditje për reputacionin e Rusisë, shkruan korrespondenti i BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg.

Në vitin 2015, Rusia dërgoi mijëra trupa për të mbështetur Presidentin Assad dhe një nga qëllimet kryesore të asaj ndërhyrjeje ishte të pohonte statusin e saj si një fuqi globale.

Ishte sfida e parë e madhe që Vladimir Putin i shtroi pushtetit dhe dominimit të Perëndimit jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik. Dhe dukej se ishte i suksesshëm.

Në këmbim të ndihmës ushtarake, autoritetet siriane i dhanë Rusisë qira 49-vjeçare për bazën ajrore Hmeimim dhe bazën detare Tartus. Rusia ka siguruar një prani të rëndësishme në Mesdheun Lindor. Ato baza janë bërë qendra për transferimin e kontraktorëve ushtarakë në dhe nga Afrika, shkruan korrespondenti i BBC.

Assad ishte aleati më i vendosur i Rusisë në Lindjen e Mesme. Kremlini investoi shumë në të – financiar, ushtarak dhe politik – për ta mbajtur atë në pushtet.

Do të jetë e vështirë për autoritetet ruse që ta portretizojnë rrëzimin e tij si diçka tjetër përveç një disfate të madhe për Moskën.