Skifter Këllici
Para disa ditësh Akademia e Shkencave organizoi Kuvendin Kombëtar Për Gjuhën, ku u trajtuan probleme të zhvillimit të gjuhës së sotme shqipe. Ashtu si kolegë të tjerë që në artikuj të ndryshëm kanë trajtuar disa nga problemet që lidhen me domosdoshmërinë që ta shkruajmë sa më mirë dhe sa më saktë gjuhën tonë amëtare, ashtu dhe unë në këtë punim po ve ne dukje gabime gjuhësore të cilat, mjerisht po shtohen në shqipen e shkruar dhe radio-televizive.
Vendosja pluralizmit demokratik në Shqipëri pas rreth 40 viteve të diktatures komuniste, nuk do të thotë që edhe në gjuhën shqipe të vendoset një “pluralizëm demokratik”, ashtu si, për fat të keq, e përceptojnë shumë nga mediat e të gjitha llojeve, si edhe nga shtëpitë botuese në Shqipëri.
Ky lloj “pluralizmi…gjuhësor”, i cili ka nisur pas vitit 1991, ka sjellë si pasojë që gjuha shqipe, e shkruar dhe e folur në këto media, të lejojë gabime, të cilat mund të viheshin re vetëm gjatë periudhës ‘20-‘40-të, të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ende nuk ishin vendosur normat e drejtshkrimit.
Ja disa nga gabimet kryesore që kam verejtur dhe vërej ende në mediat dhe botimet tona, që po i parashtroj për të katërtën herë me përditësime gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit në shkrime që kam botuar, gabime që, jo vetëm nuk janë mënjanuar, por për fat tëkeq, janë shtuar.
–Mënjanimi thuajse i plotë i kohës së kryer e thjeshtë të mënyrës dëftore të foljes, si ndikim i gjuhëve neolatine:
presidenti…. ka deklaruar… “, kur duhet shkruar dhe lexuar edhe në mikrofon, ose kamera: presidenti …deklaroi…”.
Dhe kjo, sepse e kryera e thjeshtë tregon një veprim të përfunduar plotësisht para çastit të ligjërimit, ose një gjendje, a veprim të kaluar. Kurse e kryera tregon një veprim, a gjendje të kaluar, në mënyre të tillë që rezultatet janë të pranishme edhe në çastet e ligjërimit. (“Fjalor i gjuhës shqipe”, faqe 897,1981).
Mendoni për një çast sikur ky shtrembërim të bëhej normë në veprat letrare!..
Po shkëpus një dialog të shkurtër nga vepra “Përballë pasqyrës së një gruaje” të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, (faqe 148).
-Eshtë krej ashtu , – i thashë…
-Bëjnë sikur na kanë harruar, po mendjen e kanë te ne, – përsëriti ai ngadalë… .
Shkrimtari ynë i madh, si çdo shkrimtar tjetër shqiptar, ka përdorur foljet them dhe përsëris në kohën e kryer e thjeshtë, pra ai shkruan: thashë dhe përëriti.
Mendoni sa sa do të qeshnim, sikur Kadareja të shkruante:
-Eshtë krejt ashtu, – i kam thënë.
-Bëjnë sikur na kanë harruar, por mendjen e kanë te ne, – ka përsëritur ai.
Jam i sigurtë se të gjithë gazetarët a publicistët që shkruajmë nëpër gazeta, në ndonjë krjim të tyre letrar do t’i përdornin foljet ashtu si në shembullin e mësipërm, pra në kohën e kryer e thjeshtë.
Atëherë, përse në shkrimet e tyre nëpër gazeta a biseda televizive vazhdojnë të përdorin folje në kohën e kryer?
-Zhdukja e pjesëzës “të” në kohën e ardhme e tashme e mënyrës dëftore të foljes:
“Do shkojmë…” dhe jo: ”Do të shkojmë…” ose: ”Do e bëjmë…” dhe jo: ”Do ta bëjmë..”
Madje edhe në tituj artikujsh!..
-Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit, madje edhe gjatë lakimit:
”Bajden bisedoi me Makron.”, kur duhet shkruar :” Bajdeni bisedoi me Makronin.” (Emri presidentit amerikan duhet të shkruhet në rasën emërore të shquar dhe emri i presidentit francez pas parafjalës “me”, në trajtën e shquar të rasës kallëzore).
– Përkthimi i gabuar foljes “join” në anglisht gjatë përkthimit të saj në fjali në gjuhën shqipe:
Jo rallë në shtypin e shkruar shohim të shkruhet: “X politikan iu bashkua opinioneve te shprehura nga Y koleg i tij”.
Edhe në kët rast kemi përkthimin mekanik të foljes “join” që në shqipe do të thotë bashkoj, lidh. Ja një shembull i marrë nga “Fjalori anglisht-shqip”, (1999):” To join the navy”-“ Hyj, (futem, regjistrohem), në flotën ushtarake”. Kurse një përkthimin mekanik i kësaj fjalie, (siç ndodh sot rëndom në shtypin tonë), do të ishte: ”T’i bashkohesh flotës ushtarake”. Ndonëse nga ana morfologjike në këtë rast nuk kemi gabim gjuhësor, duhet të nënvizojmë se një ndërtim i tillë, me përdorimin e rasës dhanore të trajtës së shkurtër të përemrit “(t)’iu” dhe të emrit, po në këtë rasë, “flotës ushtarake”, nuk është në natyrën e gjuhës sonë.
Duke u kthyer te shembulli i parë i mësipërm, nënvizoj se nuk duhet të shkruhet “X politikan iu bashkua opinioneve të shprehura nga Y koleg i tij”, por: ”X politikan ra dakord, (ishte i një mendjeje, ishte në ujdi… ), me opinionet e shprehura nga Y koleg i tij.
– Ne veprat e veta jetëshkrimore Enver Hoxha jo rallë ka shkruar: “Bëj kujdes” në vend që të shkruante :” Kam kujdes”. Dhe kjo, sepse ai ka qenë ndikuar nga shprehja në frengjishte, të vetmnen gjuhë që zotëronte- “faire attention”.
Me ta përdorur ai, një pjesë e madhe e autorëve që botonin aso kohe materiale në shtypin e përditshëm, gazetarë a shkrimtarë, zunë të përdornin shprehjen “bëj kujdes” dhe jo “kam kujdes”, e cila vazhdon të përdoret edhe sot, madje edhe në gjuhën e përditshme. Po të pranonim këtë shprehje, atëherë në vend të shprehjes ”Ki mendjen”, duhej të shkruanim: ” Bëj mendjen”, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret në shqipe.
– Në gjuhën juridike tashmë ka nisur të përdoret rëndom emri “ankimim”. Eshtë absurditet qesharak, sepse në gjuhën shqipe kurrsesi nuk mund të përdoren dy prapashtesa të njejta. Pra, nga folja”ankoj”, ( më dendur dhe më saktë përdoret në trajtëv vetvetore- ankohem), me prapashtesën -im krijohet emri foljor “ankim”. Por specialistët tanë të nderuar në fushën juridike, i ngjisin emrit “ankim” të njejtën prapashtesë, me sa duket, për të vënë në dukje edhe më shumë “forcën” e…“ ankimit”(1?). Pra, përdorin termin e ri “ankimim”. Atëherë u dashka të themi dhe shkruajmë “punimim”, “lehtësimim”, “zemërimim”… (?!).
Pa u zgjatur, nga folja nga “ankoj”, veç emrit “ankim”, me prapashtesën –esë forrmohet emri “ankesë”; për shëmbull: “Ka mjaft ankesa…”; “ Po rritet numri i ankesave” dhe , për më tepër, përdoret edhe emërtimi : “Zyra e ankesave” dhe jo “Zyra ankimimeve”(?!).
– Shkrimi i fjalëve, termave, titujve, emrave të personaliteve të huaja etj., sipas drejtshkrimit të këtyre gjuhëve:
”The Neë York Times”, George Bush, Ollbright…, kur sipas rregullave të drejtshkrimit emrat, titujt dhe emërtimet në gjuhë të huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhes shqipe, pra, ashtu siç shqiptohen:”Dhe Nju Jork Tajms”, Xhorxh Bush, Ollbrajt…
– Vërshimi pa asnjë arsye të fjalëve të huaja në media, për të cilat është shkruar vazhdimish, shumica e të cilave zëvendësohen fare mirë me fjalë të gjuhës shqipe, si dhe mosrespektimin e shenjave të pikësimit. Po përmend vetëm një xhevahir të tillë: Fjala “ surprizë”, të paktën prej rreth 50 vjetësh është zëvendësuar me fjalën “befasi”, ose “ e papritur”. Për çudi sot atë nuk e gjen vetëm të ringjallur në shtypin e përditshëm, por, për më tepër, gjen edhe foljen… “suprizoj”, që rjedh prej saj, e cila nuk ka qenë pëdorur.
– Duke imituar në mënyrë dogmatike titujt e marrë nga gjuhë të huaja, sidomos nga anglishtja, janë krijuar emërtime që nuk i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe. Kështu kemi emërtime të tilla “Tirana Bank”, kur ky institucion duhet titulluar “Banka Tirana”, aq më tepër që funksionon në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të huaj.
Një qendër televizive ka zgjedhur titullin “Shijak Televizion” dhe jo “Televizioni Shijak”. Si sëmundje ngjitëse ka, ose ka pasur emërtime të tjera absurde:”Rozafa TV”, ”Skampa TV”, “Apolonia TV”…..Për pasojë, mos ndoshta ndonjë ditë u dashka thënë Tirana Radio, Shqiptar Televizion…(!?).
Mania për të vënë emërtime me terma nga gjuhë të huaja, është bërë “rregull” nga pronarë kompanish, hotelesh, restorantesh, dyqanesh…, sa që pandeh se nuk ndodhesh në Shqipëri, por në një vend të huaj.
Dhe të mendosh se në vende të tilla, me vendime qeverie nuk është rekomanduar përdorimi i emërtimeve të huazuara nga gjuhë të huaja.
Besoj se një të ardhme të shpejtë në shtypin tonë të shkruar dhe të folur, do të kemi përmirësim të dukshëm të nivelit gjuhësor. Për këtë qëllim, është e domosdoshme që çdo organ shtypi dhe çdo shtëpi botuese të këtë në organikën e vet një gazetar që njeh shumë mirë gramatikën e gjuhës shqipe, ose më saktë tëjetë korrektor letrar.
Në Diasporën Shqiptare qarkullon një gazetë, e cila pas një periudhe të gjatë rifilloi të botohet sërishmi. Por, çuditësisht ajo ka vetëm një punonjës që kryen funksionet e pergjegjësit, redaktorit dhe korrktorit letrar. Dhe për këtë arsye, ky punonjës detyrohet t’i porositë bashkëpunëtort që t’ia sjellin shkrimet të korrektuara, se ndryshe nuk i boton?! Absurditet! Po jo të gjithë bashkëpunëtorët që sjellin shkrime në këtë gazetë, janë të diplomuar për gjuhë-letërsi në universitetet tona. Pra, jo të gjithë njohin regullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
E përsëris: duhet të jetë e detyrueshme që kjo gazetë, si çdo gazetë tjëtër që botohet në Shqipëri a Diasporë, të këtë pa tjetër korrektor letrar.
Ta shkruajmë sa më mirë gjuhën amëtare , është detyrë atdhetare e cilitdo shqiptari. Mbi të gjitha, e gazetarëve, publicistëve, shkrimtarëve, nga krijimtaria e të cilëve mëson secili nga ne, mëson qytetari shqiptar kudo që ndodhet.