Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se gjëja më e rëndësishme për Kosovën është që të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë ShBA’në, për kërkesat e tyre, përkatësisht zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut.
I pyetur nëse mund të ketë ndonjë ndryshim në politikën amerikane karshi Kosovës me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Hovenier ka thënë se si ambasador nuk mund të flasë se çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë administrata e ardhshme. Por, ka shtuar se nuk do të ishte e pazakontë që Administrata Trump të ketë këndvështrime të ndryshme për çështje politike nga ato që ka administrata Biden, shkruan Reporteri.net.
“Në mënyrë të pashmangshme, sa herë që një administratë e re amerikane merr detyrën, ata shikojnë çështjet e pazgjidhura dhe bëjnë disa rishikime politikash. Pra, nuk do të ishte e pazakontë që administrata Trump të merrte disa këndvështrime të ndryshme për disa nga çështjet e politikës nga ato që ka administrata Biden. Si ambasador i SHBA-së këtu, unë nuk mund të flas për to. Nuk mund të flas se çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë administrata e ardhshme”, ka thënë Hovenier në një intervistë në ATV.
Hovenier ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të zbatojnë detyrimet nga marrëveshjet e arritura.
“Mund të them se mendoj që gjëja më e rëndësishme që Kosova të bëjë është të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke reaguar për disa gjëra specifike që i kemi kërkuar. Dhe kjo më kthen te dialogu dhe nevoja… patëm një marrëveshje mjaft të mirë vitin e kaluar në Bruksel dhe më pas aneksin e zbatimit në Ohër dhe shpresojmë të shohim, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, shumë më tepër energji të ripërtërirë të shpenzuar për zbatimin e detyrimeve të ndërmarra në ato raste”, ka deklaruar ai.
Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA’së, Hovenier ka theksuar mbështetjen e popullit amerikan ndaj Kosovës ndër vite.
“E mbështeti para krizës së 1999-ës dhe sigurisht e mbështeti pas krizës së vitit 1999, si dhe sigurisht që e kanë bërë gjithashtu që nga viti 2008, kur Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës. Dhe sigurisht, ne luajtëm një rol të rëndësishëm në mbështetjen e procesit që arriti pavarësinë e Kosovës, dhe kjo është, mendoj, diçka nga populli amerikan, pa marrë parasysh se cila parti apo person është në pushtet në një moment të caktuar”, ka shtuar Hovenier.