Shorti i Botërorit, trajneri i Serbisë befason me deklaratën për Shqipërinë

Shorti për Kupën e Botës 2026 e vendosi Shqipërinë 12 vite pas sfidës historike të Beogradit, përballë Serbisë, në grupin K, ku janë po ashtu edhe Anglia, Letonia dhe Andorra.

Për dy sfidat që do të luhen në Beograd dhe Tiranë ka pasur reagime të ndryshme gjatë këtyre orëve, por vlen të theksohet se shorti i ka pëlqyer teknikut të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç.

Në reagimin e parë pas shortit ai ka vlerësuar kuqezinjtë, duke pranuar se ekipi i Sylvinho-s është rritur ndjeshëm, sidomos pas asaj fushate mbresëlënëse në kualifikueset për Euro 2024 në Gjermani.

“Mendoj se është e vetëkuptueshme. Seriozitet dhe profesionalizëm maksimal. Në planin fizik, taktik dhe psikologjik përgatitja duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, por jo vetëm në ndeshjen me Anglinë, por edhe në duelet me Shqipërinë, Letoninë dhe Andorrën. Një grup shumë sfidues. Shqiptarët kanë treguar përmirësim në lojën e tyre së fundmi dhe sigurisht që do të jenë një kundërshtar i vështirë. Jam i lumtur që do të luajmë në Tiranë në stadiumin e bukur ku u luajt edhe finalja e Ligës së Konferencës. Jam i vetëdijshëm se për publikun ato dy duele do të jenë interesante për disa arsye të tjera. Për sa na përket neve, nuk vihet në dyshim asgjë që nuk ka lidhje me futbollin. Ekskluzivisht një histori sportive, një sfidë e madhe dhe një mundësi për dy paraqitje cilësore futbollistike”, u shpreh Stojkoviç.