Tetë policë të lënduar nga aksidenti i autoblindës në veri

Tetë policë janë lënduar nga aksidenti i autoblindës në fshatin Grabovc afër Zveçanit në veri të Kosovës të premten në mbrëmje, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, policët e lënduar janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Autoblinda e Policisë dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.

Njoftimi i Policisë:

Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca.

Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Pak pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok më 29 nëntor, Këshilli i Sigurisë pati miratuar masa emergjente duke aktivizuar në terren Policinë dhe Forcën e Sigurisë për të garantuar siguri përreth objekteve të shërbimeve kritike.