Skandali me përgjimet në Serbi, reagon kompania izraelite që e furnizoi me softuerin spyware

Amnesty International  në një raport të publikuar sot, zbulon një skandal në Serbi me pajisjet përgjuese dhe të vëzhgimit që Beogradi bleu nga Izraeli.

Sipas raportit zyrtarët serbë kanë instaluar spyware në telefonat e dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve, teksa citohen prova nga të dhëna dixhitale dhe dëshmi nga aktivistët që thanë se bisedat e tyre telefonike ishin përgjuar muajt e fundit.

Në dy raste, softueri i ofruar nga firma izraelite e mbikëqyrjes Cellebrite DI Ltd u përdor për të zhbllokuar telefonat përpara se të infektoheshin, thuhet në raport.

“Spyware serb, i quajtur “NoviSpy” nga Amnesty International, ka marrë imazhe nga ekranet e pajisjeve celulare, kopjoi kontaktet dhe i ngarkoi ato në një server të kontrolluar nga qeveria”, thuhet në raport.

Më tej bëhet me dije se në disa raste, aktivistët dhe një gazetar raportuan shenja të aktivitetit të dyshimtë në telefonat e tyre celularë menjëherë pas intervistave me policinë dhe autoritetet serbe të sigurisë.

Ministria e Brendshme dhe e Jashtme e Serbisë, por edhe agjencia e inteligjencës BIA nuk iu përgjigjën një kërkese për koment, ndërkohë shefi i marketingut të Cellebrite, David Gee, tha se po hetonte pretendimet e Amnesty.

“Nëse këto pretendime janë të sakta, mund të jetë një shkelje e marrëveshjes që ne bëjmë me klientët tanë të përdoruesve fundorë”, tha Gee për Reuters. Nëse është kështu, tha Gee, Cellebrite mund të pezullojë përdorimin e teknologjisë së saj nga autoritetet serbe.

Vendosja e softuerit gjurmues në pajisje “nuk është aspak ajo që ne bëjmë”, tha Gee. Ai shtoi se Cellebrite kishte filluar kontaktet me zyrtarët serbë për rastin, por nuk pranoi të jepte hollësi.