Ukraina thotë se ushtarë koreano-veriorë janë vrarë në Kursk të Rusisë

Inteligjenca ukrainase tha se të paktën 30 ushtarë koreano-veriorë që luftonin për Rusinë janë vrarë ose plagosur në rajonin perëndimor rus të Kurskut.

Kjo është hera e parë që Kievi jep një raport kaq të detajuar mbi humbjet e Koresë së Veriut që kur Pheniani nisi të dërgonte trupa për ta ndihmuar Moskën.

Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e ushtrisë ukrainase (GUR) tha në një deklaratë më 16 dhjetor se njësitë koreano-veriore kishin pësuar “humbje të konsiderueshme” pranë fshatrave Martinovka, Plehovo dhe Vorozhba.

Më 15 dhjetor, Skemat, njësiti hulumtues i shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, mori foto nga burime ushtarake ukrainase që supozohet se tregonin trupat e ushtarëve të vrarë në Kursk, duke përfshirë trupa që thuhej se ishin të luftëtarëve koreano-veriorë.

REL-i nuk ka arritur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim, që Rusia nuk e ka komentuar deri më tani.

Trupat ukrainase filluan një inkursion në rajonin e Kurskut në gusht dhe ende i kontrollojnë disa zona në këtë rajon. Rusia filloi të vendosë mijëra trupa koreano-veriore në Kursk në tetor.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 14 dhjetor se Moska kishte filluar të përfshinte më shumë trupa koreano-veriore në një përpjekje për të zmbrapsur forcat ukrainase në Kursk.

Me disa analistë që vlerësojnë se humbjet ruse tejkalojnë shifrën prej 600.000 ushtarëve dhe me presidentin Vladimir Putin që kërkon ta shmangë një mobilizim të dytë masiv politikisht të papëlqyeshëm, raportet sugjerojnë se më shumë se 11.000 ushtarë koreano-veriorë janë vendosur në Rusinë jugperëndimore.

Në një zhvillim tjetër, një burim nga Shërbimi i Sigurisë të Ukrainës (SBU) i tha Shërbimit Ukrainas të REL-it se Kievi përdori dronë javën e kaluar për të shënjestruar dhe shkatërruar një depo municionesh ruse në fshatin Markyne në rajonin e pushtuar nga Rusia, Donjeck, në Ukrainën lindore.