Walker, që shpërfaqi gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve, nderon me homazhe viktimat e Reçakut

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, që pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit, sot 26 vjet pas asaj dite ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Ambasadori Wiliam Walker në homazhe është shoqëruar nga anëtarët e Listës për Familjen.

Walker, i cili vjen për homazhe në pothuajse në cdo përvjetor ka thënë se dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani sipas tij ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe “supozoj se ka edhe nga e gjithë bota”.

“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që janë këtu nga i gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Pra, ju falënderoj që po e pasqyroni këtë, ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur”, ka thënë Walker, raporton Ekonomia Online.

Eman Rrahmani nga Lista për Familjen tha se ishte ambasadori Wiliam Walker, ai që shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë.

“Jemi sot këtu me ambasadori Wiliam Walker figurë e cila i shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë, një ambasador i cili ka bërë shumë për çështjen e Kosovës. Jemi në përkujtim të masakrës dhe gjenocidit që ka kryer Serbia këtu në Reçak në familjet shqiptare. Neve na mbete që të angazhohemi që të jemi çdo herë pranë atyre që kanë ndihmuar dhe kanë vepruar për mbrojtjen e familjes, mbrojtjen e vendit dhe tokave shqiptare”, tha Rrahmani.