𝐅𝐒𝐊-𝐣𝐚 𝐦𝐞𝐫𝐫 𝐝𝐫𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐠𝐣𝐞𝐥𝐛𝐞̈𝐫 𝐧𝐠𝐚 𝐒𝐇𝐁𝐀 𝐩𝐞̈𝐫 𝐛𝐥𝐞𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐡𝐞𝐥𝐢𝐤𝐨𝐩𝐭𝐞𝐫𝐞̈𝐯𝐞

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve për helikopterë, radarë dhe mbrojtje ajrore, duke e vendosur vendin tonë në një stad të ri të përgatitjes dhe sigurisë strategjike.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili gjendet për vizitë zyrtare në ShBA, ka theksuar se SHBA kanë riafirmuar edhe një herë përkushtimin e tyre për të forcuar sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, ShBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm”, u shpreh ministri Maqedonci, duke shtuar se përmes mbështetjes konkrete, kjo iniciativë jo vetëm që rrit aftësitë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe forcon pozicionin tonë si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë.