Haradinaj premton 500 milionë euro për rininë: Të ardhmen ta ndërtojnë këtu, jo në gurbet

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërine e Kosovës-Nisma Socialdemokrate, Ramush Haradinaj, ka bërë një premtim të fuqishëm gjatë tubimit të sotëm në Deçan.

Kreu i AAK ka premtuar për rininë e Kosovës një fond prej 500 milionë eurosh për të mbështetur bizneset e reja dhe për të krijuar mundësi ekonomike brenda vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj theksoi rëndësinë e mbajtjes së rinisë në Kosovë dhe krijimit të kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre, e jo në mërgim.

“Rinia e Kosovës është më e mira në botë. Janë shpirti e zemra e këtij populli. Ne nuk kemi djem e vajza për mërgim. E kemi obligim t’i kthejmë e të ardhmen e tyre ta garantojmë këtu, e jo në gurbet”, shkroi Haradinaj.

Kujtojmë se AAK dhe Nisma do të kandidojnë së bashku në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, dhe prirësi i kësaj liste është Ramush Haradinaj.