Një koleksion i pasur me rreth 300 objekte tradicionale shqiptare, përfshirë bizhuteri dhe veshje, është zbuluar në Muzeun Etnografik të Budapestit.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet platformës ‘Facebook’ nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.
Ky koleksion ishte shitur nga tregtari Paolo Lazza në të kaluarën dhe nga hulumtimi i vënë në dispozicion rezultoi që ishte shitur në departamentin e muzeut të Budapestit.
“Me hulumtimin në detaje të kësaj figure u angazhua vetë drejtori Luçjan Bedeni. Bazuar në të dhënat e muzeologeve të Muzeut Etnografik të Budapestit, Vera Schleicher, Boglarka Macsa, rezultoi që personi quhej Palokë Laca”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky institucion.
Gjatë kësaj periudhe thuhet se është ndërtuar edhe pema gjenealogjike e tij, janë gjetur disa fotografi të familjes, si dhe kontaktet e pasardhësve që jetojnë në Shkodër dhe në Itali.
Në shtator të 2024-së, muzeologët vizituan Shkodrën për të hulumtuar më shumë në detaje figurën e tregtarit Palokë Laca.
Nxjerrja në pah e kësaj figure si dhe zbulimi i këtyre reparteve në Budapest vjen në mesin e një pune të gjerë kuratoriale të drejtuar nga Kim Knoppers, që ka si fokus etnografinë dhe artizanatin shqiptar.
Për këtë arsye në janar të 2025-së, drejtori i muzeut i shoqëruar nga kuratorja Knoppers dhe dizajnerin e modës Jozef Martini, njëherazi kushëri i Palokë Lacës, zhvilluan një vizitë dy ditore në Muzeun e Etnografisë së Budapestit, ata patën mundësinë të shihnin nga afër koleksionin e jashtëzakonshëm të Lacës.
“Gjithashtu në takimin me drejtorin e muzeut Lajos Kemecsi diskutuam mundësinë e ekspozimit të këtyre objekte në Muzeun Marubi, si pjesë e një ekspozite e cila do të hapet në qershor te ketij viti”, shkroi Bedeni.
Ky zbulim erdhi si rezultat i një bashkëpunimi intensiv mes muzeut Marubi dhe muzeut Etnografik të Budapestit, dhe i njëjti pritet të sjellë një vlerë të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe për historinë e artizanatit kombëtar.