Ish-ambasadori Arben Çejku është shprehur se po ushtrohet presion nga SHBA ndaj disa vendeve, në mënyrë që të pranojnë popullsinë e Gazës, pas planit për shpërnguljen e tyre.
Komentet Çejku i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se nëse edhe Shqipërisë po i bëhet presion për këtë çështje, vendi ynë e ka të vështirë të rezistojë.
Kjo pasi sipas tij, qeveria është e frikësuar për shkak të problematikave të shumta që ‘mbart mbi supe’ dhe opozita është në ‘ditë’ jo të mira.
Ai shtoi se nëse SHBA po kërkon që palestinezët të vendosen në Shqipëri, vendi ynë mund të ‘mbrohet’ me dinjitet duke vënë përpara statusin e një vendi anëtarë të NATO-s dhe argumentat për çështjet e sigurisë.
“Atje po ushtrohet presion për t’ju gjetur vend këtyre njerëzve. Nëse Shqipërisë po i bëhet presion, unë nuk e di sesa fuqi kanë këto për të mbajtur presionin amerikan, kjo qeveri e frikësuar nga shumë probleme, por edhe opozita që ka problemet e veta.
Por këto kanë një mundësi që të mbrohen me dinjitet nga ana diplomatike, duke vënë përpara statusin e një vendi anëtar të NATO-s, për çështjet e sigurisë pra, por mund të flitet edhe për afektimin rajonal, sepse ne jemi të rrethuar edhe me shtete të tjera.
Edhe në aspektin fetar ata kanë një tjetër model, pavarësisht se janë Islam, tjetër qasje kulturore kanë ata dhe tjetër kemi ne”, tha Çejku, shkruan A2 CNN.