Sokol Vlahjen, avokati i familjes së aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut Enver Hadri, i cili u vra më 1990 në Bruksel, ka deklaruar se gjashtë të dyshuar për përfshirje në vrasjen e tij, janë vrarë në Beograd rreth viteve 1990-2000.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, ai ka thënë se këta të dyshuar që nuk janë dënuar, nuk janë gjallë dhe ishin kriminelë të punësuar nga Shërbimi Sekret Jugosllav për t’i kryer veprat e tyre në Evropë.
“Të gjithë personat që janë të dyshuar për pjesëmarrje në këtë vrasje dhe që nuk janë dënuar, janë vrarë nga vrasje të ndryshme që kanë ndodhur në Beograd në vitet e 90-ta, ose 2000 dhe nuk janë më të gjallë. Gjashtë është numri i tyre, shumica ishin kriminelë të punësuar nga shërbimi sekret për t’i kryer veprat e tyre në Evropë”, ka thënë ai.
Ai ka konsideruar se gjykimi i marrë nga Gjykata e Belgjikës është një shenjë e fortë për familjen, pasi për të dytën herë është vendosur që ata të dënohen me burgim të përjetshëm.
Sipas tij, vetëm Gjykata më e lartë e Belgjikës – Gjykata e Kasacionit – mund ta rrëzojë këtë vendim.
“Procedura ka qenë shumë e gjatë sepse së pari vepra ka ndodhur më 1990, gjykimi i parë më 2016, pas kërkesës për rigjykim më 2017 ka qenë edhe COVID-i që na ka vonuar shumë në shqyrtimin e dosjes, por edhe nga kërkesa që është bërë nga njëri prej të akuzuarve, Vukotiq, që ka kërkuar të bëhet rigjykimi dhe në fillim nuk i është pranuar kjo kërkesë, ka shkuar procedura deri në Gjykatën e Kasacionit që është gjykata më e lartë e Belgjikës, e cila më në fund ia pranoi të bëhet rigjykimi, megjithëse ai nuk ka qenë prezent gjatë rigjykimit. I gjithë procesi ka shkuar me shumë profesionalizëm. Nëse kjo gjykatë e rrëzon vendimin në një bazë ligjore, i gjithë procesi do të fillojë nga fillimi. Ky vendim është një simbol i fortë për familjen, sepse për të dytën herë është vendosur nga 12 juri që këta persona e kanë kryer veprën, por me të vërtetë problemi që Serbia po i mbron shtetasit e saj dhe nuk po i dorëzon te gjykata belge për ta vuajtur dënimin, është problem shumë i madh”, ka theksuar ai.
Gjykata në Bruksel i ka dënuar me burgim të përjetshëm Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin të cilët janë gjetur fajtorë për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut Enver Hadri.
Këtë e ka njoftuar familja Hadri.
Hadri ishte vrarë ne Bruksel nga pjesëtarët e UDB-së, në shkurt të vitit 1990.