Në shtëpinë e lindjes së Ismail Kadare në Gjirokastër u mbaj të martën pasdite një aktivitet përkujtimor, organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog, me rastin e 89-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar. Ky është viti parë pa Kadarenë, i cili u nda nga jeta, korrikun e vitit të shkuar. Miq të shkrimtarit, dashamirës të letrave, intelektualë vlerësojnë figurën e tij ndërsa në shtëpinë e lindjes, kthyer në muze, vizitorët prekin nga afër jetën e Kadaresë dhe veprat e tij letrare. Botuesi, Bujar Hudhri ndan me publikun momente të rëndesishme qe shenjuan jetën e shkrimtarit.
“Është shumë prekëse të jem sot këtu për ditëlindjen e Kadaresë në shtëpinë e lindjes. Këtë shtëpi kam pasur mundësinë që ta shoh herët këtë shtëpi dhe gjithashtu kujtoj momentin kur u dogj. Ne ishim në Prishtinë në vitin 1999 në panarin e librit kur Kadare mori vesh se shtëpia e tij u dogj dhe më kujtohet qëndrimi i tij dinjitoz që nuk e vrau mendjen fare, as donte t’ia dinte, sepse gjendeshim në Kosovë në vendin e shkretuar nga lufta dhe ai nuk mund të fliste për shtëpinë e tij. Më pas kur erdhëm në Tiranë shprehu dëshirën që të ishte shtëpi muze. Ia dhuroi qytetit të tij. Është një veprim i jashtëzakonshëm, sepse në ndërgjegjen e tij ka qenë si themelI i veprës së tij. Mijëra njerëz, lexues duke ecur në këtë shtëpi të mund të ndjenjë magjinë e një shkrimtari të madh. Është thelbi I tij dhe veprës së tij”, u shpreh u emocionuar, Bujar Hudhri, botues i “Onufrit”, duke theksuar se mungesa e tij do ta madhështojë emrin dhe veprën e Kadaresë.
Në nder të tij u zhvillua dhe në Durrës aktiviteti “Poetët jetojnë gjatë”. Një portret në kanavacë, 16 poezi të Kadaresë interpretuar nga trupa e aktorëve të teatrit, të shoqëruar nën tingujt e muzikës dhe përcjellë me zërin e Mezzo Sopranos, Olta Jubës, krijuan një eksperiencë unike për publikun.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër dhe u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në Tiranë. Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, përkthyer në 45 gjuhë të botës dhe fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Pallati i ëndrrave”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” janë disa prej veprave më të njohura.