Momenti i rrëzimit të aeroplanit në Filadelfia që shkaktoi zjarr te disa shtëpi, dyshohet për gjashtë të vdekur

Një aeroplan i transportit mjekësor që mbante një paciente, nënën e saj dhe katër të tjerë, duke përfshirë ekuipazhin, u përplas në një lagje verilindore të Filadelfias të premten në mbrëmje, duke shkaktuar zjarr te disa shtëpi vetëm 30 sekonda pasi u ngrit.

“Ne nuk mund të konfirmojmë asnjë të mbijetuar”, tha një deklaratë nga Jet Rescue Air Ambulance, e cila drejtonte aeroplanin Learjet 55, shkruan The Guardian.

“Shqetësimi ynë është për familjen e pacientes, personelin tonë, familjet e tyre dhe viktimat e tjera që mund të jenë lënduar në terren”.

Shai Gold, një zëdhënës i Jet Rescue, foli me NBC për njerëzit në aeroplan. Pacientja, një vajzë, po kthehej në Tijuana, Meksikë. Të tjerët në aeroplan përfshinin nënën e saj, një pilot, një ndihmës pilot, një mjek dhe një ndihmës mjekësor, tha Gold.

Ai tha se pacientes i ishte sponzorizuar trajtimi në SHBA nga një shoqatë bamirëse për t’ia shpëtuar jetën asaj. Ajo kishte kryer trajtimin dhe ishte nisur për t’u kthyer në shtëpi.

“Ajo luftoi shumë për të mbijetuar, dhe për fat të keq [ndodhi] kjo tragjedi gjatë rrugës për në shtëpi”.

Të gjashtë personat në bord ishin nga Meksika, sipas raportimeve, dhe avioni ishte regjistruar atje. Policia tha se ishte në detyrë mjekësore.

Ishte përplasja e dytë fatale në 15 muaj për Jet Rescue. Në vitin 2023 pesë anëtarë të ekuipazhit vdiqën  kur avioni i tyre kaloi një pistë në shtetin qendror meksikan të Morelos dhe u rrëzua në një kodër.

Ky aksident erdhi dy ditë pasi një aeroplan komercial u përplas me një helikopter ushtarak pranë aeroportit Kombëtar të Uashingtonit Reagan, në periferi në Uashington DC, duke lënë të vdekur 67 persona, të gjithë që ishin si në aeroplan si në helikopter.