Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objekti ku humbën jetën tre fëmijë

Humbja e jetëve të tre fëmijëve nga shembja e një objekti të pabanuar në Jabllanicë të Gjakovës, ka tronditur të gjithë vendin.

Në videon e siguruar nga A2 CNN, në cepin e krahut të djathtë të saj shihen rreth orës 16:02, të tre adoleshentët duke luajtur pranë objektit dhe pak minuta më pas objekti shembet.

Tre adoleshentët e moshës 13 dhe 15 vjeçare; Ideal Ramaj, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së shtëpisë në fshatin Jabllanicë të Gjakovës. Shtëpia ishte e pabanuar.

“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, në koordinim me të cilin aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore,” njoftoi më herët policia e Gjakovës.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tre fëmijëve.

“Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen! Le të bëjmë krejt çka mundemi që të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjujt!”, tha ai.